Në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës thuhet se pesë palestinezë të tjerë u plagosën gjithashtu, duke përfshirë një në gjendje të rëndë
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se dy palestinezë u vranë në një bastisje izraelite në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se dy të rinjtë e moshës 17 dhe 23 vjeç u qëlluan kur forcat izraelite bastisën qytetin.
Pesë palestinezë u plagosën gjithashtu, duke përfshirë një në gjendje të rëndë, thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj kryen një fushatë ushtarake në kampin e refugjatëve në Jenin për të arrestuar, siç tha ajo, palestinezët “e kërkuar”.
Në një deklaratë ushtarake thuhet se forcat izraelite iu përgjigjën zjarrit palestinez, duke shtuar se një ushtar izraelit u plagos lehtë.
Ndërkohë, një palestinez dyshohet se ka kryer një sulm me thikë pranë qytetit të Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një njoftim të ushtrisë izraelite thuhet se një palestinez goditi me thikë një civil izraelit në një autobus në kryqëzimin Neve Daniel.
Palestinezi u “neutralizua”, thuhet në njoftim, pa dhënë detaje rreth gjendjes së tij.
Të martën, pesë izraelitë u vranë në një sulm me armë zjarri në qytetin Bnei Brak në pjesën qendrore të Izraelit, ndërsa sulmuesi raportohet të jetë një palestinez nga Jenin.
Ushtria izraelite shpesh kryen fushata të gjera arrestimi në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor me pretekstin e kërkimit të palestinezëve “të kërkuar”. /aa




