Ushtria Siriane akuzoi grupin terrorist PKK për përhapjen e “thashethemeve të rreme dhe të rrezikshme” midis kurdëve të vendit, në një përpjekje për të frikësuar civilët dhe për të mbjellë mosbesim ndaj forcave shtetërore, transmeton Anadolu.
Agjencia Siriane e Lajmeve Arabe (SANA), duke cituar Komandën e Operacioneve të ushtrisë, tha se “milicitë terroriste të lidhura me PKK-në po shpërndajnë video të trilluara dhe të redaktuara selektivisht” dhe po promovojnë pretendime “të largëta nga realiteti” për të trembur banorët nga ushtria.
“Ne i sigurojmë njerëzit tanë kurdë se po punojmë për t’i mbrojtur ata. Ata janë një komponent integral dhe origjinal i popullit sirian” thuhet në deklaratën e komandës, duke shtuar se forcat qeveritare synojnë të rivendosin stabilitetin në të gjitha zonat.
Komanda theksoi se kurdët sirianë janë të lirë të largohen nga zonat e tensionuara dhe të lëvizin në çdo pjesë të vendit në çdo kohë, duke e përshkruar gjithë Sirinë si shtëpinë e tyre.
“Problemi ynë ka qenë, dhe mbetet, me milicitë terroriste të PKK-së”, thuhet në deklaratë, duke akuzuar grupin për përpjekje për të krijuar përçarje midis ushtrisë dhe komunitetit kurd, teksa përballet me kolapsin e “ambicieve të fundit shkatërruese dhe zgjeruese” në rajon.
Të dielën, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa njoftoi një marrëveshje armëpushimi me grupin terrorist YPG/SDF për të integruar anëtarët e tij në institucionet shtetërore.
Sipas marrëveshjes, SDF-ja do të tërheqë formacionet e tij ushtarake lindje të lumit Eufrat dhe do t’i dorëzojë kontrollin administrativ dhe të sigurisë mbi provincat Raka dhe Deir ez-Zor shtetit sirian.
Marrëveshja parashikon gjithashtu integrimin e personelit ushtarak dhe të sigurisë të SDF-së në ministritë siriane të mbrojtjes dhe të brendshme pas kontrollit individual të sigurisë, si dhe transferimin e pikave kufitare, fushave të naftës dhe gazit, dhe institucioneve civile nën kontrollin e qeverisë.
Kjo marrëveshje erdhi pas një operacioni ushtarak të nisur nga ushtria siriane, përmes të cilit u rikthyen zona të gjera në lindje dhe veriulindje të Sirisë pas shkeljeve të përsëritura nga SDF-ja të marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me Damaskun gati një vit më parë.
Megjithatë, të martën, SDF-ja nisi një seri sulmesh ndaj pozicioneve siriane, duke vrarë 11 ushtarë dhe plagosur 25 të tjerë.


