Ushtria turke shpëton 17 emigrantë të parregullt në Libi

Foto nga arkiva

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare bëri me dije të premten përmes një deklarate me shkrim se 17 emigrantë të parregullt në një varkë pranë brigjeve të qytetit libian të Misratës, në Mesdhe, janë marrë në bordin e një fregate dhe një prej emigrantëve ka vdekur pavarësisht ndërhyrjes mjekësore.

Sipas deklaratës, një varkë u zbulua të enjten në afërsi të Misratës nga fregata “TCG Gokçeada”, që shërben në kuadër të Grupit Taskforcës Detare Turke.

“Në bordin e fregatës « TCG Gokçeada» u morën 17 emigrantë të parregullt, të cilët ishin në gjendje gjysmëkome në varkë. Në kontrollin e bërë nga mjeku në bord, u konstatua se 12 persona ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe 4 të tjerë pa ndjenja. Ndërkaq, njëri prej emigrantëve ka qenë e pamundur të shpëtohet pavarësisht të gjitha përpjekjeve të personelit shëndetësor dhe ka ndërruar jetë”, thekson Ministria turke e Mbrojtjes.

Zyrtarët ushtarakë turq konstatuan se emigrantët, nevojat e të cilëve u plotësuan nëpërmjet kujdesit të nevojshëm mjekësor, ishin nga Bangladeshi dhe lundronin kuturu në det prej 10 ditësh.

Emigrantët ilegalë të shpëtuar nga ushtria turke iu dorëzuan autoriteteve libiane në portin e Homsit si rezultat i koordinimit të vendosur mes palëve. /trt