Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca do të fillojë në ora 09:00.

Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Kjo është dita e katërt me radhë këtë javë, ku në procesin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët” po dëgjohen dëshmitarë, raporton Indeksonline.

Deri ditën e hënë nuk do të ketë më seancë, teksa edhe javën e ardhshme do të mbahen katë sosh.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.