Vazhdon gjykimi për zjarrin në Koçani, pason procedura e provave pas dëgjimit të fjalëve hyrëse të të pandehurve

Në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në repartin e Idrizovës, sot vazhdoi gjykimi për tragjedinë e zjarrit në klubin e natës “Pulse” në qytetin e Koçanit në mars të këtij viti, ku 63 persona humbën jetën dhe mbi 200 u lënduan, transmeton Anadolu.

Në seancë u dhanë fjalët hyrëse të mbrojtjes së Aleksandar Nacevit, të cilin Prokuroria e cilëson si pronar joformal, gjegjësisht real të agjencisë së sigurisë “Rubikon”, përgjegjëse për sigurinë e objektit në të cilin ndodhi zjarri si dhe të subjekteve juridike “MMMM KAFE” dhe “Rubikon Security Solutions”.

Me këtë përfundojnë fjalët hyrëse të mbrojtjes dhe pritet nisja e administrimit të provave, me dëgjimin e dëshmitarëve të dëmtuar të propozuar nga Prokuroria. Prokurori Borçe Janev theksoi se procesi synon të sqarojë përgjegjësinë personale dhe institucionale për ngjarjen tragjike.

Më parë, në fjalët e tyre hyrëse, të pandehur të ndryshëm, përfshirë pronarë, menaxherë, përfaqësues të sigurisë, ish-zyrtarë komunalë dhe ish-ministra kanë mohuar çdo fajësi dhe kanë theksuar se kanë vepruar sipas ligjit dhe kompetencave të tyre.

Prokuroria, megjithatë, thekson se përgjegjësia nuk lidhet vetëm me zjarrin, por edhe me mosveprimet dhe mungesën e kontrollit që kanë lejuar funksionimin e objektit pa kushte të nevojshme sigurie, duke nënvizuar se tragjedia është pasojë edhe e mangësive institucionale shumëvjeçare.

Ndryshe, në orët e para të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në lokalin e natës “Pulse” si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar.

Nga hetimet e para pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.