Vendet e rajonit mbështesin SHBA-në pas veprimeve kundër Venezuelës

Vendet e rajonit kanë shprehur mbështetje të fortë për SHBA-në dhe presidentin amerikan, Donald Trump, pas sulmet amerikane në Venezuelë dhe pretendimeve për kapjen e presidentit të vendit, Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.

Presidentja e Kosovës, në një postim në rrjetet sociale shprehur mbështetje ndaj SHBA-së dhe presidentit Trump, i cili sipas saj, “qëndroi me popullin e Venezuelës dhe iu kundërvu narko-shtetit të Maduros”, duke mbrojtur SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar.

“Populli venezuelas meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika. Narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar kërcënojnë paqen përtej kufijve kombëtare”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se uniteti transatlantik dhe mbështetja për udhëheqjen amerikane janë thelbësore “në përballjen me regjime autoritare si ai në Venezuelë”, duke argumentuar se siguria dhe liria kolektive e vendeve aleate varen nga veprimi i përbashkët dhe vendosmëria e SHBA-së.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, nga ana e saj, tha se vendi i saj qëndron “pa mëdyshje” me SHBA-në dhe presidentin Trump në veprimet e tyre kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Populli venezuelas ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës. Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale”, shkroi Spiropali.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, përshëndeti njoftimin e presidentit Trump se Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë.

“Përgjegjësia ka rëndësi. Ne qëndrojmë përkrah SHBA-së dhe popullit venezuelas për liri dhe demokraci”, shkroi ai.

Lidhur me zhvillimet e fundit kanë reaguar edhe Sllovenia dhe Kroacia të cilat kanë deklaruar se monitorojnë nga afër situatën dhe kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve, respektim të ligjit ndërkombëtar, si dhe mbrojtje të popullsisë civile.

Më herët, qeveria e Venezuelës akuzoi SHBA-në për sulme ndaj objekteve civile dhe ushtarake në disa shtete të vendit dhe shpalli gjendje emergjence kombëtare.

Më vonë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në platformën e tij Truth Social konfirmoi se SHBA-ja kishte kryer një “sulm në shkallë të gjerë”, duke shtuar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij ishin kapur dhe ishin larguar jashtë vendit.

Sulmet erdhën pas muajsh tensionesh me SHBA-në, e cila e akuzoi Maduron për përfshirje në trafik droge. Maduro ka mohuar se është drejtues karteli dhe ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime.