Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vendet evropiane: Kërcënimet e SHBA-së me tarifa “minojnë marrëdhëniet transatlantike”

Vendet evropiane: Kërcënimet e SHBA-së me tarifa “minojnë marrëdhëniet transatlantike”

Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar publikuan sot një deklaratë të përbashkët, në të cilën kanë dënuar kërcënimet e fundit të SHBA-së për vendosjen e tarifave për shkak të Grenlandës, duke riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj sigurisë në Arktik, duke ruajtur njëkohësisht sovranitetin e tyre, transmeton Anadolu.

“Kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spiralë të rrezikshme në rënie. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe të koordinuar në përgjigjen tonë. Jemi të përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin tonë”, thuhet në deklaratë.

Ajo rithekson angazhimin e tetë vendeve për forcimin e sigurisë në Arktik “si një interes i përbashkët transatlantik”.

“Stërvitja daneze e parapërgatitur ‘Qëndrueshmëria e Arktikut’, e zhvilluar me aleatët, i përgjigjet kësaj nevoje. Ajo nuk përbën kërcënim për askënd”, theksohet në deklaratë.

Në deklaratë është shprehur gjithashtu “solidaritet i plotë” me Danimarkën dhe Grenlandën.

“Duke u bazuar në procesin e nisur javën e kaluar, jemi të gatshëm të angazhohemi në dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat i mbështesim fuqishëm”, shtohet më tej.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se Washingtoni do të vendosë tarifa 10 për qind për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke filluar nga 1 shkurti, të cilat do të rriten në 25 për qind në qershor, derisa të arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”. Udhëheqësit evropianë janë zotuar për një përgjigje të koordinuar.