Venezuela varros ushtarët e vrarë gjatë sulmit amerikan për rrëmbimin e Maduros

Venezuela ka mbajtur ceremoni mortore masive për dhjetëra ushtarë të vrarë gjatë një operacioni amerikan në fundjavë, që sipas autoriteteve venezueliane synonte rrëmbimin e presidentit Nicolas Maduro.

Arkivolë druri të mbuluar me flamurin e Venezuelës u mbajtën nga ushtarë dhe u përcollën nga familjarë, forca të armatosura dhe një orkestër ushtarake në një varrezë shtetërore në jug të kryeqytetit Karakas. Gjatë ceremonisë u dëgjuan të shtëna nderi, ndërsa familjet morën pjesë më herët në homazhe pranë trupave të pajetë.

Ministria e Brendshme e Venezuelës njoftoi se sulmet amerikane kanë lënë të paktën 100 persona të vrarë dhe një numër të ngjashëm të plagosur. Ministri Diosdado Cabello e cilësoi sulmin si “të tmerrshëm” dhe tha se bilanci i viktimave mund të rritet.

Autoritetet shtuan se presidenti Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë plagosur gjatë operacionit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po shërohen.

Ushtria venezueliane publikoi emrat e 23 ushtarëve të saj të vrarë, ndërsa zyrtarët thanë se një pjesë e madhe e truprojave të presidentit u vranë “me gjakftohtësi”. Kuba, nga ana e saj, deklaroi se 32 pjesëtarë të forcave të saj ushtarake dhe të inteligjencës në Venezuelë janë vrarë gjatë sulmit. /mesazhi