Qeveria e Venezuelës dhe opozita arritën një marrëveshje në kuadër të programit të ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe se SHBA-ja në mbështetje të kësaj ka pranuar të lehtësojë disa sanksione të naftës ndaj vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me marrëveshjen e nënshkruar në qytetin Meksiko City të Meksikës, palët ranë dakord për formimin e një fondi të menaxhuar nga OKB-ja për të financuar programet shëndetësore, ushqimore dhe arsimore për të varfrit.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, lideri i opozitës Juan Guaido dhe përfaqësues të palës së SHBA-së.
Më tej thuhet se edhe administrata e Joe Bidenit ka lehtësuar disa sanksione të naftës ndaj Venezuelës me qëllim për të përshpejtuar negociatat e reja të rifilluara sërish mes palëve.
Departamenti amerikan i Thesarit në mbështetje të marrëveshjes i ka dhënë leje të kufizuar gjigantit të naftës Chevron që të nxjerrë naftën venezueliane në mënyrë të kufizuar.
Një zyrtar i lartë amerikan ka theksuar se lehtësimi i sanksioneve nuk ka lidhje me përpjekjet e qeverisë për të rritur prodhimin global të energjisë pas luftës Rusi-Ukrainë dhe se nuk pritet që të ndikojë çmimet globale të energjisë.



