Veseli pas takimit me Xhaferin: S’do lejojmë asnjë precedent negativ në marrëveshjen me Serbinë

Kryeparlamentari Kadri Veseli po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku u prit nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Pas takimit ata mbajtën konferencë për media ku u tha se diskutuan për politikat e përbashkëta të të dyja vendeve, dhe për rrugën në integrimin euroatlantik.

Kryeparlamentari maqedonas Talat Xhaferi tha se është arritur një konstatim i përbashkët që të dy kanë vendosur që dialogu bilateral të vazhdojë, edhe pse nuk mungon, por që duhet të ngritët në nivele më të larta dhe të zgjerohet bashkëpunimi, raporton lajmi.net.

“Përsërisim bashkëpunimin e thellë drejt çështjeve evropiane për të dyja vendet tona. Çka ne inkurajojmë është një seancë e përbashkët për bashkëpunim më të thellë, por edhe për prosperitet mes vendeve tona. Republika përshëndet marrëveshjet e arritura me BE dhe vazhdimin e dialogut, për prosperitet në Ballkan”, tha ai.

Po ashtu, Xhaferi përshëndeti dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Ndërsa kryeparlamentari Veseli tha se vizita po bëhet në vendin mik, sepse ky vend respekton Republikën kosovare, dhe të gjitha rrugët tona për në integrim euroatlantik.

Veseli tha se Kosova respekton çdo vendim që marrin qytetarët maqedonas në referendumin për emrin e shtetit.

Ai tha se po punohet që vendet si Kosova po edhe Maqedonia të shkojnë me hapa më të sigurt drejt rrugës evropiane.

“Kosova ka gatishmërinë të respektojë çdo marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqësore që është e rëndësishme për Ballkanin. Po flasim për një frymë të re, që nuk i vonon popujt tonë por i lëvizë ata përpara”, tha ai.

Ai theksoi se proceset integruese do të lëviznin më shpejtë nëse tejkalohen këto konflikte.

Veseli i bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë t’i thonë po referendumit.

Ai tha se do respektohet çdo vendim që marrin populli maqedonas.

“Ne do të ju respektojmë dhe do të jemi në bashkëpunim si Republika, por edhe përmes marrëveshjeve ekonomike”, theksoi Veseli.

“Pas kalimit të referendumit ne vazhdojmë me dialogun, presim marrëveshje në mënyrë që të krijojmë premisa edhe për Ballkanin, por edhe për popujt tonë”, tha ai.

Duke folur për marrëveshjet me Serbinë, Veseli tha se ka progres edhe për çështjen e Veriut të Kosovës.

“Nuk do lejojmë asnjë precedent negativ me marrëveshjen me Serbinë”, tha ai.

“Gjithmonë është më lehtë të jesh jo racionalë. Është lehtë të manipulohet emocionalisht te qytetarët, synimi është të arrihet një marrëveshje paqësore dhe të kalohet situata e konfliktit. Është lehtë të valvohen flamuri i Kosovës e i Shqipërisë”, tha Veseli duke iu referuar situatës politike në Kosovë, ku funksionet e shtetit po bllokohen nga opozita për shkak të dialogut me Serbinë me ç’rast është thirrur edhe protestë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Xhaferi edhe njëherë iu bëri thirrje maqedonasve të dalin në referendum, pasi që siç tha ai, nuk po vendosin për një parti politike por për veten dhe vendin e tyre.