Vet-aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një person

Një person ka vdekur dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore si pasojë e një vet-aksidenti i cili ka ndodhur sot rreth orës 06:10 në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, njësia e hetimeve, kompania për mirëmbajtjen e rrugës.

“Aksident komunikacioni me fatalitet. Më datën 02.09.2023 rreth orës 06:10, në autostradën Ibrahim Rugova në km 24 drejtimi i Vërmicës, ka ndodhur një vet aksident me lëndime trupore. Një automjet ‘Suzuki’ me targa lokale me vozitës mashkull kosovar, dyshohet se ka humb drejtimin dhe është rrokullisur në rrugë, me ç ‘rast lëndime trupore kane pësuar dy persona, njëri prej të cilëve më vonë ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, njësia e hetimeve, kompania për mirëmbajtjen e rrugës”, ka thënë Kelani.

Po ashtu ai tha se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, përderisa janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Policia e Kosovës, vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të ju përmbahen kushteve të rrugës, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik dhe në parandalim të aksidenteve”, ka thënë Kelani.