Lëvizja Vetëvendosje sërish ka drejtuar akuza në drejtim të televizionit publik, raporton KTV.
Nga objekti i Kuvendit të Kosovës, deputetja e këtij subjekti politik, Shqipe Pantina, e ka quajtur RTK-në instrument i klaneve mafioze.
Ajo ka thënë se transmetuesi publik ka buxhet të jashtëzakonshëm, ndërsa nuk ka raportuar asnjëherë për shpenzimet, e në anën tjetër, ky medium, sipas saj, është i zhytur në borxhe që po u rrezikon edhe pagat e punëtorëve.
Përmes monitorit, Pantina ka akuzuar drejtuesit e RTK-së për lidhje me njerëz të pushtetit.
Grupi i deputetëve të VV-së ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të bordit e menaxhmentit të RTK-së dhe krijimin e një komisioni hetimor parlamentar që do të hidhte dritë mbi të gjitha keqpërdorimet që janë bërë në RTK, ka thënë Pantina.