Demonstrues pro-palestinezë janë mbledhur në qytete të ndryshme të Australisë, një ditë para përvjetorit të tretë të fillimit të luftës së Izraelit në Gaza, më 8 tetor të vitit 2023, derisa grupet muslimane i bënë thirrje vendit të vendosë sanksione dhe një embargo dypalëshe të armëve ndaj Izraelit, transmeton Anadolu.
Gazeta “Herald Sun” me bazë në Melburn raportoi se rreth 70 aktivistë u mblodhën para Bibliotekës Shtetërore të Viktorias në Melburn për një vigjilje që zgjati gjatë gjithë ditës. Flamuj palestinezë u vendosën në hapësirat përreth bibliotekës. Gjithashtu u shfaq një figurë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke mbajtur pankartë me mbishkrimin “Kriminel i gjenocidit”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër arresti ndaj Netanyahut në nëntor të vitit 2024, lidhur me dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Gjykata e rendit atë si person në arrati. Në shkallët e bibliotekës, demonstruesit shtrinë një flamur të madh palestinez, së bashku me fotografi dhe materiale të tjera, ndërsa një pankartë mbante mbishkrimin: “Ne do të qëndrojmë, ne do të rindërtojmë”.
Vigjilja filloi sipas planifikimit dhe ishte parashikuar të vazhdonte deri në orën 18:00 me kohën lokale, ndërsa organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të mbanin zi në mënyrë paqësore për palestinezët e vrarë në Gaza. “Herald Sun” raportoi për përplasje të shkurtra verbale gjatë tubimit ndërsa organizatorët u kërkuan demonstruesve të mos përfshiheshin në to. Pas mbërritjes së kundërprotestuesve, në zonë u vendosën forca shtesë policore.
Në Sidnej, sipas transmetuesit publik australian ABC, një vigjilje tjetër pro-palestineze ishte planifikuar të zhvillohej sot në mbrëmje në Town Hall ndërsa një tubim tjetër ishte planifikuar në Wollongong. Tubime të tjera pro-palestineze janë planifikuar në të gjithë Australinë të dielën.
Aleanca e Muslimanëve Australianë (AAM) dhe Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë (ANIC), në një deklaratë të publikuar në rrjetin social amerikan X, thanë se tre vite sulmesh izraelite kanë sjellë “vrasje, shkatërrim, zhvendosje, uri dhe vuajtje të jashtëzakonshme” për palestinezët.
Grupet i bënë thirrje qeverisë australiane të vendosë “sanksione kuptimplota” ndaj Izraelit dhe “një embargo gjithëpërfshirëse dypalëshe të armëve” si dhe të sigurojë që Australia të mos kontribuojë “drejtpërdrejt ose tërthorazi në shkeljet e së drejtës ndërkombëtare”.
Ata kërkuan qasje të papenguar humanitare në Gaza dhe mbështetje për rindërtimin e infrastrukturës civile. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur marrëdhëniet e mbrojtjes midis Australisë dhe Izraelit po përballen me një vëmendje të shtuar.
Sipas Departamentit Australian të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, dy vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes në vitin 2017, ndërsa bisedimet strategjike vjetore për mbrojtjen nisën në vitin 2018.
Australia merr pjesë në zinxhirin global të furnizimit për avionët luftarakë F-35 të përdorur nga Izraeli, me më shumë se 70 kompani australiane që kanë kontribuar me komponentë në këtë program. Megjithatë, qeveria australiane deklaron se nuk e furnizon drejtpërdrejt Izraelin me armë ose municione.
Grupet muslimane thanë se njohja e shtetit të Palestinës nga Australia në shtator 2025 ishte një hap i rëndësishëm, por se kjo duhet të pasohet nga veprime konkrete politike dhe diplomatike. Që nga tetori i vitit 2023, sipas shifrave palestineze, gjenocidi i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74.200 palestinezë dhe ka plagosur mbi 175.200 të tjerë.

