VMRO akuzon pushtetin LSDM-BDI për djegien e 59 personave në dy tragjedi

Naum Stoilkovski

Krimi dhe korrupsioni i pushtetit LSDM-BDI po vret, thotë VMRO DPMNE.

Sipas zëdhënësit të kësaj partie Naum Stoilkovski, korrupsioni i nivelit të lartë për të cilin po alarmon tash e një kohë Komisioni Evropian përmes raporteve për Maqedoninë e Veriut, po na kushton jetë njerëzish. Stoilkovski përmendi dy tragjeditë e fundit, atë të djegies së autobusit në Bullgari dhe djegien e Spitalit të Tetovës, si dhe papërgjegjësinë e pushtetit për këto dy raste.

“Krimi dhe korrupsioni i LSDM-BDI, korrupsioni i lartë për të cilin alarmon me vjet Komisioni Evropian, fillon të merr jetë në mënyrën më të tmerrshme në Maqedoni. Nuk është vetëm fatkeqësia në Bullgari ku u dogjën 45 njerëz, por do të përkujtoj edhe fatkeqësinë me Spitalin e Tetovës ku u dogjën 14 njerëz. 60 persona na u dogjën, 60 bashkëqytetarë tanë u dogjën të gjallë, u shkrumbuan për më pak se 3 muaj, ndërsa nuk ka asnjë përgjigje.

Stoilkovski tha se sikurse për tragjedinë e Tetovës, edhe për atë në Bullgari nuk pret që prokuroria të zbardhë rastin dhe të kemi rezultate konkrete nga hetimi.

“Prokuroria, të përkujtoj për tragjedinë e para 3 muajve doli me qëndrim prokurorja publike se nuk ka akoma asgjë nga hetimi. Kështu që nuk pres se hetimi për Bullgarinë do të sjellë ndonjë rezultat, sepse të gjithë janë vendosur në shërbim të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit të LSDM dhe BDI”

Për momentin po zhvillohen hetime për të vërtetuar shkaqet e tragjedisë në Bullgari, ku vdiqën 45 persona. Më shumë se dy javë pas tragjedisë, nuk ka asnjë detaj. Nga ana tjetër dje janë mbushur 3 muaj nga djegia e Spitalit të Tetovës, por edhe hetimi për këtë rast nuk është kompletuar, ndërsa ekspertët gjermanë që po ndihmojnë hetimin nuk kanë folur publikisht deri tani. /shenja