Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është përballur me kritika në Parlamentin Evropian si nga e djathta ekstreme ashtu edhe nga e majta ekstreme, teksa ligjvënësit debatuan dy mocione të ndara mosbesimi për shkak të trajtimit të saj të konfliktit në Gaza dhe politikave tregtare të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Mocionet u paraqitën nga grupi i ekstremit të djathtë ‘Patriotët për Evropën’ dhe grupi i krahut të majtë ‘E Majta’, duke reflektuar pakënaqësinë në rritje me lidershipin e von der Leyen para një votëbesimi të planifikuar për më 9 tetor.
Gjatë debatit plenar në Strasburg, eurodeputeti francez i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, tha se BE-ja nën presidencën e von der Leyen “ka humbur drejtimin”, duke e kritikuar atë për nxitjen e marrëveshjeve tregtare si me SHBA-në dhe atë ‘Mercosur’ bllokun tregtar të Amerikës së Jugut, të cilat sipas tij, po “dëmtojnë fermerët dhe industritë e Evropës”.
Bardella akuzoi Komisionin Evropian për thellimin e burokracisë dhe dështimin për të mbrojtur interesat evropiane, si dhe u bëri thirrje ligjvënësve të mbështesin mocionin e mosbesimit.
“Ky votim nuk është vetm kundër Evropës së Macronit ose Evropës së von der Leyenit, por edhe për mbijetesën e kombeve të lira”, tha ai.
Nga ana tjetër e dhomës, eurodeputetja franceze, Manon Aubry, bëri një sulm të ashpër ndaj trajtimit të krizës në Gaza nga von der Leyen, duke akuzuar BE-në për bashkëpunim në atë që ajo e përshkroi si “gjenocid”.
“Frikacakëria dhe mosveprimi juaj e kanë bërë BE-në partnere në krimet e Izraelit”, tha Aubry, duke dënuar bllokun për miratimin e paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë derisa refuzoi të pezullojë lidhjet tregtare ose të vendosë një embargo armësh ndaj Izraelit.
Ajo gjithashtu kritikoi von der Leyen për mbështetjen e “planit neokolonial” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën dhe për ndjekjen e marrëveshjes ‘Mercosur’ pavarësisht shqetësimeve mjedisore dhe demokratike.
“Ju po helmoni planetin tonë dhe po vrisni bujqësinë tonë”, theksoi Aubry.
Në përgjigje, von der Leyen i hodhi poshtë mocionet si pjesë të një fushate më të gjerë dezinformimi, që sipas saj synon ndarjen e Evropës, duke paralajmëruar se “rivalët jo vetëm që janë të gatshëm të shfrytëzojnë përçarjet, por po i nxisin ato në mënyrë aktive”.
Duke përmendur shkeljet e fundit të hapësirës ajrore ruse në Evropën Lindore, ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po “përpiqej të mbjellë përçarje midis evropianëve”, duke bërë thirrje për unitet në vend të përçarjes.
“Nuk duhet të biem në këtë kurth. Mesazhi më i fortë që mund të dërgojmë është ai i unitetit”, tha ajo para ligjvënësve.
Von der Leyen pranoi shqetësimet e ngritura në lidhje me Gazën, Ukrainën dhe tregtinë transatlantike, duke theksuar se ajo është “e përkushtuar të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i adresuar ato”.
Në muajin korrik, von der Leyen i mbijetoi një mocioni të ngjashëm besimi, me 360 ligjvënës që votuan kundër një rezolute mosbesimi, 175 pro dhe 18 abstenime.
Nëse një nga dy mocionet aktuale miratohet, von der Leyen dhe i gjithë komisioni i saj do të detyrohen të japin dorëheqjen. Megjithatë, duke marrë parasysh ekuilibrin aktual parlamentar, vëzhguesit thonë se iniciativat nuk kanë gjasa të kenë sukses.



