Vota e Shqipërisë në OKB, Thaçi: Prishtina do të ishte rreshtuar krah Uashingtonit

Pozicionimi i Tiranës zyrtare kundër Uashingtonit ka bërë bujë të madhe në Kosovë, ku admirimi për Shtetet e Bashkuara është i madh, i ushqyer fort nga fakti që ishte Amerika nismëtarja e ndërhyrjes së NATO-s gjatë konfliktit, duke mos pritur miratimin e Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria u rreshtua në mesin e kombeve që votuan pro rezolutës kritike ndaj njohjes së Jeruzalemit, si kryeqytet i Izraelit, moment ky të cilin Donald Trump, siç shpjegoi ambasadorja amerikane Nikky Haley në OKB, e ka marrë shumë personalisht.

Jehona e lëvizjes së Tiranës zyrtare ishte e madhe në Kosove, sipas presidentit Hashim Thaçi, Prishtina do të ishte rreshtuar në krah të Uashingtonit në çdo rrethanë.

“Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës, pa marrë parasysh si kanë votuar të tjerët”, citohet të ketë thënë ai.

E përditshmja përmend po kështu edhe një status të shqiptaro-amerikanes së parë të zgjedhur këshilltare në shtetin e Nju Jorkut, Lisa Milicaj, mikesha – siç thuhet aty – e presidentit Trump, e cila e quan të “turpshëm” vendimin e Shqipërisë.

Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Serbia e Turqia ishin në grupin që votoi pro rezolutës, ndërsa Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Rumania zgjodhën rrugën e sheshtë të abstenimit.