Votimi i serbëve, fitore e madhe e Listës Serbe

Mbrëmë në Mitrovicën e Veriut ka pasur festë të madhe sepse Lista Serbe ka fituar të gjitha ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Festa e tyre ka qenë shumë e madhe por asnjë zyrtar nga Beogradi nuk ka qenë i pranishëm pasi e kanë pasur të ndaluar hyrjen në Republikën e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Gazetarja Milica Andriq Rakiq, në një intervistë të shkurtër për Klan Kosova, ka folur për procesin e votimit atje si dhe ka treguar se një operator i telefonisë serbe, iu ka dërguar mesazhe serbëve që thoshin se duhet të votojnë Listën Serbe.

Poashtu, ajo tha se nuk do të jetë e lehtë që serbët të familjarizohen me dokumentacion të Kosovës dhe se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka treguar se rreth 4000 serbë s’kanë mundur të votojnë për shkak të dokumenteve.

Ndryshe, Klan Kosova dje ka raportuar se disa persona kanë tentuar të votojnë me dokumente të Serbisë gjë që nuk është lejuar për shkak të rregullit të KQZ-së se votimi pranohet vetëm me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.