Vrasësi i gjyqtares, Prokuroria kërkon “arrest me burg”

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Fadil Kasemit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildes Hafizi.

Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa Prokuroria mësohet të ketë kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, duke ngritur plot 3 akuza në ngarkim të vrasësit të gjyqtares.

Organi i akuzës kishte dorëzuar më herët kërkesën, ku autori i vrasjes akuzohet për kryerjen e veprave penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “rrëmbim personi”.

Pas krimit të rëndë, 53-vjeçari me pistoletë në dorë i ka dalë përpara një furgoni dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar shoferit që ta largonte nga vendi i ngjarjes. Sipas materialit të Prokurorisë, Fadil Kasemi nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes.