Vrasja në Gjilan, arrestohet një polic i Kosovës

Lidhur me vrasjen që tronditi sot Gjilanin është arrestuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Vrasja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, derisa ende nuk dihet cilat kanë qenë motivet e këtij rasti

Dorasi i dyshuar për këtë rast është një zyrtar i Policisë së Kosovës, me detyrë në Prishtinë.

Personi i dyshuar në këtë rast zyrtari policor,  është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.

“Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit  Policia e Kosovës ka pranuar  një informacion së në rrugën “Nato 99”,  në Gjilan ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenti një person ka vdekur. Pasi që dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes “Linjës së kaltër” janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar  V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë  zjarri në drejtim të viktimës L.S . Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve  janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e PK.