Vritet një 41 vjeçar në Batllavë, arrestohet i dyshuari

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Batllavë të Podujevës, ku me armë zjarri është vrarë 41 vjeçari G.B.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin për këtë rast.

“Sot rreth orës 08:00, në fshatin Gërdovc të Podujevës, policia ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e ndodhur sot në fshatin Batllavë, të Podujevës. Personit të dyshuar, B.B mashkull 47 vjeç, i është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Viktimë në këtë rast është G.B (mashkull), 41 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si Vrasje e rëndë.