Vritet një person në Mitrovicë, një tjetër mbetet i plagosur

Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në mesnatë në Mitrovicë.

Këtë lajm e ka konfirmuar për KosovaPress, Policia e rajonit të Mitrovicës e cila ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna  me arme zjarri në  rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë  të gjitha njësitet e nevojshme policore.

Nga  informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë.

Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i  plagosuri tjetër viktima  J. S., 52 vjeçar, mbetet  në tretman të mëtejmë mjekësor.

Pas  ekzaminimeve të kryera në vendin  e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër (4) gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi  materiale që ndërlidhen me rastin.

Nga  hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë  në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë.

Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.