Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se politika e ndjekur prej tij në këto 5 vite, për ta rikthyer çështjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve, ka pësuar disfatë. Këto komente, ai i bëri në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare Serbe.
Vuçiç deklaroi gjithashtu se, shumë “lojtarë” nga Perëndimi nuk duan që Serbia të përzihet në Kosovë, e kjo është rrjedhojë e “politikës katastrofike dhe të papërgjegjshme” të ndjekur në të shkuarën.
“Ne jemi vetëlarguar nga OKB-ja në vitin 2010. Kemi gjykuar vetveten me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2011 vendosëm kufirin mes serbëve në Jarinjë”, tha ai.
Presidenti serb kishte shpalosur si politikë të tijën vendosjen e kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve, gjë që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi këmbëngul në idenë e tij për korrigjim kufijsh, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Si Vuçiç, ashtu dhe Thaçi, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve. Por, këto ide nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare.