Vuçiq: Armatimi rajonal, pjesë e fushatës së vazhdueshme kundër Serbisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha sot se në rajon po ndodh armatim intensiv dhe krijimi i aleancave ushtarake, duke vlerësuar se kjo është, siç tha ai, një fushatë e vazhdueshme kundër Serbisë dhe popullit serb, raporton Anadolu.

Duke folur në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve në Beograd, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Vuçiq tha se takimet dhe marrëveshjet për bashkëpunimin ushtarak midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit nuk duhen nënvlerësuar, duke shtuar se “këto procese kanë qëllime të qarta politike dhe të sigurisë”.

Sipas tij, zgjerimi i marrëveshjeve ushtarake, përfshirë përpjekjet për të përfshirë vendet e tjera në rajon në këto procese, nuk motivohet nga arsye simbolike, por përfaqëson një sfidë serioze sigurie. Ai shtoi se i kishte diskutuar këto çështje me përfaqësues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por se, siç deklaroi ai, nuk kishte marrë përgjigje të qarta.

Vuçiq tha se pasojat e proceseve të tilla janë tashmë të dukshme, duke pretenduar se po shkelen parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia, siç deklaroi ai, “po i armatosin hapur shqiptarët në Kosovë”.

Sipas tij, dërgesat e shpejta të armëve, përfshirë obusët 105-milimetërshe, synojnë të kërcënojnë Serbinë, integritetin e saj territorial si dhe sigurinë e popullsisë civile dhe strukturave të sigurisë.

Vuçiq pyeti se kundër kujt drejtohet armatimi intensiv i Kroacisë. Ai thotë se “kjo është një fushatë e vazhdueshme kundër Serbisë”, edhe pse vendet përreth janë anëtare të NATO-s ose janë në rrugën euroatlantike.

Lidhur me prioritetet për periudhën e ardhshme, Vuçiq tha se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Serbi do të jetë detyra më e vështirë, por edhe më e rëndësishme e shtetit dhe diplomacisë së tij, duke shtuar se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta arritur këtë çdo ditë.

Duke iu referuar rrethanave globale, ai tha se Serbia nuk ka përjetuar përparimin e pritur në marrëdhëniet me administratën amerikane. Vuçiq deklaroi se çështjet e tarifave dhe sanksionet ndaj Industrisë Serbe të Naftës nuk i kanë shërbyer interesave të vendit. Ai shtoi se në kohë të vështira, mbështetja nuk ka ardhur as nga Lindja dhe as nga Bashkimi Evropian.

Presidenti serb tha se aktorë të caktuar rajonalë dhe globalë kanë filluar një valë të re njohjesh të pavarësisë së Kosovës, por siç nënvizoi ai “Serbia do të vazhdojë punën e palodhur në fushatën e çnjohjeve”.