Vuçiq: Do të shkoj në Bruksel të bisedoj me Borrellin por jo me Kurtin

Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të bisedojë me Komisionerin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, por se nuk do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sepse “nuk ka çfarë të diskutohet me të”.

Ai tha për RTS se biseda me Kurtin nuk ka kuptim.

“Ai jep predikime për Enver Hoxhën, Adem Demaqin, Marksin, për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore… Do të shkoj në Bruksel të flas me Borrellin një orë, dy deri në dhjetë, nuk kam punë me Kurtin”, tha Vuçiq

Vuçiq shtoi se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti, është dëbimi i serbëve nga i gjithë territori i Kosovës.

“Ky është qëllimi i tyre i vetëm. Ne po flasim për një enverist, ndjekësin më të afërt, patologjik të Adem Demaqit. Kurti është zëdhënësi i tij dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt”, tha Vuçiq për RTS, transmeton teve1.info.

Ai tha se po bisedon me njerëz që nuk janë të interesuar për paqen duke aluduar në Kurtin dhe shtoi se nuk beson që Perëndimi do ta ndëshkojë atë.

“Nuk besoj se Perëndimi do ta ndëshkojë Kurtin, sepse gjithmonë do të ketë mjaft vende të vogla të cilave ndonjë shtet i madh do t’u thotë të jenë kundër. Këto janë lojëra fëmijësh që nuk mund t’ia shesin më askujt, sepse gjithmonë kërkojnë mënyra për të na ndëshkuar”, tha Vuçiq.