Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiq në tubimin në Beograd njofton se do të japë dorëheqjen pas...

Vuçiq në tubimin në Beograd njofton se do të japë dorëheqjen pas disa javësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të jetë president i vendit edhe për disa javë, pas së cilës do të japë dorëheqjen nga kjo detyrë, duke propozuar që lista e partisë së tij në zgjedhje të quhet “Serbia e Bashkuar”, raporton Anadolu.

“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, pastaj do të jap dorëheqjen. Asgjë nuk është e përjetshme dhe falë Zotit që nuk është. Prandaj, ju falënderoj për të gjitha urimet dhe fjalët e mira”, tha Vuçiq, njoftimi i të cilit vjen rreth një vit para përfundimit të mandatit të tij.

Në fjalimin e tij në tubimin “Serbia, një familje”, para ndërtesës së Asamblesë Kombëtare të Serbisë në Beograd, ai tha se drejtuesve të Partisë Progresive Serbe (SNS) u kishte thënë se nëse ata e kërkonin do t’i ndihmonte edhe në zgjedhjet e ardhshme për të fituar besimin e qytetarëve, në mënyrë që gjatë katër viteve të ardhshme të realizonin gjithçka për të cilën kishte folur.

“Propozimi im është që lista jonë, lista fituese në zgjedhjet e ardhshme, të quhet ‘Serbia e Bashkuar’. Jo ‘të bashkuar për diçka’, por ‘Serbia e Bashkuar’. Ky është slogani më i bukur që mund të kemi. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të mund ta vendosim të gjithë Serbinë nën emrin e një liste”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se Serbia duhet me çdo kusht të përpiqet të ruajë neutralitetin ushtarak dhe të vazhdojë të marrë vendime në mënyrë të pavarur, të përmbushë detyrimet në rrugën evropiane, por njëkohësisht të ruajë miqësitë tradicionale me Kinën dhe Rusinë.

“Ne duam ta mbrojmë dhe ta ruajmë vetë qiellin tonë, jo që këtë ta bëjë ndonjë ushtri e huaj. Të jemi gjithmonë krenarë për forcën e avionëve tanë, mbrojtjen tonë kundërajrore, ushtrinë tonë dhe policinë tonë. Kjo nuk ka çmim, sepse kjo është liria. Vetëm atëherë je i lirë dhe e di se je gjithmonë i aftë ta mbrosh vendin tënd”, theksoi Vuçiq.

Ai tha se Serbia duhet të bëjë gjithçka për të përshpejtuar rrugën e saj drejt Evropës, por edhe të ruajë miqësitë tradicionale.

Vuçiq njoftoi masa të reja për të hënën, ndër të cilat ndihmë për pensionistët, duke theksuar se “njerëzit janë më të rëndësishmit”.

“Njerëzit janë më të rëndësishmit për ne. Pashë që keni ardhur nga të gjitha pjesët e Serbisë. Dhe jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Republika Srpska, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe ju falënderoj për këtë”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se brenda më pak se dy vitesh paga mesatare në Serbi do të arrijë në 1.400 euro, ndërsa pensioni mesatar në 650 euro.

Duke iu referuar vitit 2012, kur partia e tij erdhi në pushtet, ai tha se “papunësia ishte në nivel rekord evropian prej 25,9 për qind”, fabrikat po mbylleshin dhe valuta serbe po dobësohej.

“Ne poshtëroheshim kudo në rajon, në Evropë dhe në botë. Nuk ruajtëm asnjë interes kombëtar. Heshtëm kur u nda Mali i Zi dhe heshtëm edhe kur u nda Kosova dhe Metohija. bënin sikur nuk shihnin”, tha Vuçiq, duke shtuar se ata që ishin në pushtet në atë kohë kërkonin fajtorë tek të tjerët dhe jo tek vetja.

“Gjatë këtyre 14 viteve në pushtet kemi bërë dhe kemi ndryshuar shumë gjëra. Kemi realizuar arritje të mëdha për vendin tonë. Jo unë, por ju”, shtoi ai.

Ai tha se Serbia në periudhën e fundit është përballur me sfida të mëdha, si përmbytjet, migracioni, pandemia, luftërat në Ukraine dhe në Lindjen e Mesme, por se të gjitha këto janë tejkaluar falë unitetit dhe bashkimit.

“Sot Serbia është ndër vendet më të forta dhe me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë, më e shpejta në rajon dhe e katërta në Evropë”, tha ai, duke shtuar se deri në fund të vitit 2026, Serbia do të jetë e treta, ndërsa vitin e ardhshëm e para në Evropë për normën e rritjes ekonomike, duke iu referuar edhe parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ai kujtoi gjithashtu se në të kaluarën kishte pasur “bisedime të vështira për Kosovën dhe Metohinë”, duke shtuar: “Gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për çdo gjë, por nuk do të negociojmë kurrë se kujt i përket territori i Kosovës dhe Metohisë. Ju e dini çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë dhe për ne ajo është e shenjtë”.

Duke falënderuar serbët nga Kosova që kishin ardhur në tubim, ai tha se Serbia “do të jetë gjithmonë pranë tyre”.

Fjalimit i parapriu paraqitja e robotëve humanoidë, të cilët interpretuan “moravacin”, vallen tradicionale serbe.

Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë , në tubimin “Serbia – një familje” morën pjesë më shumë se 200 mijë qytetarë.

Në tubim morën pjesë edhe kryetarja e parlamentit serb, Ana Brnabiq, kryeministri Gjuro Macut, ministra, kryetari i SNS-së Milosh Vuçeviq, si dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Nenad Stevandiq dhe lideri i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, Millorad Dodik.