Vuçiq nga Mitrovica: S’jemi as afër marrëveshjes, por duhet të dialogojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq në adresimin e bërë në Mitrovicë të Veriut përpara qytetarëve serbë ka thënë se shteti i tij do të arrijë një kompromis me Kosovën i cili është i bazuar vetëm në mbrojtjen e të drejtave të tyre në Kosovë.

“Kompromis nuk do të na poshtërojë ne, ai do të arrihet vetëm kur secila palë merr diçka nga ai. Ngoshta mund që nesër të më thërasin tradhëtar, mirëpo ky është çmimi që unë do ta paguaj”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Vuçiq ka ripërsëritur se shteti serb me asnjë kusht, dhe asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht deklaratave që mund të kenë ardhur nga drejtime të ndryshme.

“Për muaj, javë dikush e ka përsëritur këtë se po përgatitet njohja e pavarësisë së Kosovës. U them të gjithëve se kjo është një gënjeshtër e madhe dhe asnjëherë nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq.

Tutje, Vuçiq ka thënë se nuk është optimist se në një të ardhme të afërt do të arrihet një marrëveshje me Prishtinën, por ka shtuar se për herë të parë mendon që dialogu është i nevojshëm dhe i pashmangshëm.

“A duam një marrëveshje me shqiptarët apo një zgjerim të agonisë në të cilën ne do të humbim gjithcka? Dhe a kemi shancë të përmirësimit nëse bëjmë një marrëveshje me shqiptarët?. Ne ende nuk kemi ndonjë draft-zgjidhje, madje nuk jemi as afër, mirëpo për herë të parë më duket se duhet të bisedojmë, edhe pse nuk jam shumë optimist në këtë çështje”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë po ashtu se dëshiron të besoj që pas shumë shekujve luftë dhe konflikte, do të ketë shekuj me miqësi të mirë dhe negociata me shqptarët.

Vuçiq ka thënë po ashtu se shqiptarët dhe serbët duhet të jetojnë së bashku, dhe kjo është një arsye e madhe për zhvillimin e negociatave.

Presidenti serb tutje është shprehur se shteti i tij do të investojë milionat në shkolla dhe spitale në Kosovë, si dhe për popullin serb këtu.