Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se ka nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore në Rripin e Gazës, por thekson se kjo është shumë larg asaj që nevojitet për të përballuar krizën.
Në një deklaratë, WFP tha se që nga data 21 maj, kur kalimet kufitare u rihapën pjesërisht për ndihma, ekipet e saj kanë dërguar dhjetëra autokolona me ushqime. Megjithatë, sasia e dërguar është vetëm “një pjesë shumë e vogël” e asaj që u duhet mbi dy milion banorëve për të mbijetuar.
Sipas një vlerësimi të fundit të WFP, gati një në tre persona në Gaza nuk ha për ditë të tëra. Gjithashtu, raporti më i fundit i klasifikimit të sigurisë ushqimore (IPC) paralajmëron për rrezik të lartë urie masive, për shkak të vazhdimit të konfliktit dhe pamundësisë së organizatave humanitare për të siguruar ndihmën e domosdoshme.
WFP shtoi se rreth 470,000 persona pritet të përballen me uri ekstreme nga maji deri në shtator 2025, ndërsa çmimi i miellit për bukë është rritur 3,000 herë dhe vaji ushqimor është i pamundur të gjendet. Organizata u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të lejojnë të paktën 100 kamionë ndihmash në ditë të hyjnë nga pikat kufitare veriore, qendrore dhe jugore. /mesazhi






