WhatsApp lejon përdoruesit të dërgojnë foto dhe video me cilësinë e plotë

Funksionaliteti më i fundit i WhatsApp shmang kompresimin plotësisht duke lejuar që fotot dhe videot të dërgohen si skedarë, diçka që rivali Telegram e ofron prej vitesh.

WhatsApp është duke lançuar një opsion të ri me të cilin përdoruesit e iPhone mund të ndajnë foto dhe video me cilësi të lartë.

Sipas WABetaInfo, versioni 23.24.73 i WhatsApp në App Store thotë se përdoruesit tashmë mund të dërgojnë foto dhe video në cilësi të lartë duke i dërguar si skedar.

Funksionaliteti vjen pasi WhatsApp filloi të ofronte dërgimin e fotove dhe videove në rezolucion të lartë “HD Quality.” Edhe pse ishte një përmirësim duke adresuar kufizimet e cilësisë për dërgimin e përmbajtjeve media, edhe në atë rast përdorte kompresim.

Funksionaliteti më i fundit i WhatsApp shmang kompresimin plotësisht duke lejuar që fotot dhe videot të dërgohen si skedarë, diçka që rivali Telegram e ofron prej vitesh.

Për të dërguar foto dhe video si skedar ndiqni hapat si mëposhtë:

  • Hapni një bisedë ekzistuese në WhatsApp ose filloni një të re
  • Klikoni ikonën “+” në anën e djathtë të fushës së tekstit
  • Klikoni Document dhe më pas Choose Photo or Video
  • Zgjidhni përmbajtjen që dëshironi të dërgoni. Limiti i madhësisë është 2GB

Kur skedarët dërgohen, paraqitjet paraprake të përmbajtjeve nuk shfaqen në bisedë por marrësi mund ti klikojë për ti hapur dhe shikuar ato. WhatsApp ka qenë duke testuar të njëjtën veçori në Android edhe pse nuk ka informacion kur do të bëhet i disponueshëm.