Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Xhami e sinagoga në shënjestër: si qytetarë serbë shkaktuan incidente në Evropë...

Xhami e sinagoga në shënjestër: si qytetarë serbë shkaktuan incidente në Evropë me urdhër të shërbimeve ruse

Një grup qytetarësh serbw, sipas vendimeve të gjykatës serbe në të cilat Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, shkaktuan trazira në Francë dhe Gjermani me urdhër të shërbimeve të inteligjencës ruse.

Edhe pse autoritetet në Beograd ende nuk e kanë emëruar publikisht shërbimin rus si organizatorin e një sërë veprimesh raciste në Paris dhe Berlin, në të cilat morën pjesë qytetarët serbw gjatë pranverës dhe verës së vitit 2025, dokumentet e gjykatës tregojnë pikërisht këtë.

REL ka arritur në vendimet e Gjykatës së Lartë në Smederevo kundër tre qytetarëve serbë të dënuar për spiunazh dhe diskriminim racor. Ata, së bashku me tetë të dyshuar të tjerë, u arrestuan në fund të shtatorit 2025.

Pothuajse katër muaj më vonë, në fund të dhjetorit 2025, tre të pandehurit hynë në marrëveshje pranimi fajësie dhe u dënuan me dënime që varionin nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë arrest shtëpiak. Tetë të dyshuarit e tjerë nuk janë aktualisht në paraburgim.

Vendimet thonë se veprimet e grupit ishin të drejtuara ndaj komuniteteve fetare hebraike dhe myslimane, me qëllim rritjen e tensioneve në Gjermani dhe Francë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, urdhrat, udhëzimet dhe paratë për këto veprime u dhanë nga “strukturat e shërbimit të inteligjencës së Federatës Ruse”. Megjithatë, vendimet nuk specifikojnë se kush ishin saktësisht anëtarët e shërbimit të inteligjencës ruse që organizuan këtë grup.

Ministritë serbe të punëve të brendshme dhe të jashtme, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Ambasada Ruse në Beograd nuk u ishin përgjigjur pyetjeve në lidhje me aktivitetet e shërbimit të inteligjencës ruse në Serbi deri në kohën e publikimit të tekstit.

Para arrestimeve dhe procedurave gjyqësore në Serbi, rastet u hetuan nga autoritetet franceze dhe gjermane.

“Me shumë mundësi arritëm në vendim sepse u paraqitën prova që autoritetet serbe nuk mund t’i injoronin”, tha për Radion Evropa e Lirë Predrag Petroviç nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Ai thotë se Rusia zgjedh Serbinë për rekrutim për shkak të favorizimit tradicional dhe qëndrimeve pro-ruse të një pjese të popullsisë, të cilat qeveria po i forcon më tej.

“Kemi një mjedis shumë të përshtatshëm për këtë lloj veprimi, dhe nga ana tjetër, marrëdhënie shumë të mira midis autoriteteve në Serbi dhe Rusi”, shton Petroviç.

Veprime raciste në Paris dhe Berlin

Vendimet përshkruajnë në detaje katër veprime raciste në Francë dhe Gjermani.

Grupi është, ndër të tjera, përgjegjës për derdhjen e bojës jeshile në Muzeun e Holokaustit dhe tre sinagoga në Paris, si dhe për lënien e kokave të derrit para nëntë xhamive në atë qytet.

Në qendër të Berlinit, pranë kompleksit memorial kushtuar hebrenjve të vrarë të Evropës, ata vendosën skelete plastike.

Qëllimi, sipas vendimeve, ishte “të nxiste intolerancën fetare dhe kombëtare”, veçanërisht midis komuniteteve hebraike dhe myslimane, dhe të destabilizonte situatën në Gjermani dhe Francë.

Përveç shpenzimeve të paguara të udhëtimit, duke përfshirë qiranë e automjeteve, biletat e avionit dhe autobusit, dhe akomodimin në hotel, anëtarëve të grupit iu premtua një shpërblim monetar prej 500 deri në 1,500 euro për çdo veprim të kryer.

Grupi veproi nga prilli deri në shtator 2025.

Petroviç deklaron se qëllimi i shërbimeve ruse ishte të shkaktonin paqëndrueshmëri në Evropë me qëllim uljen e presionit dhe mbështetjes për Ukrainën.

Velika Plana, një qytet në Serbinë qendrore me rreth 15,000 banorë, ishte vendi ku qytetarët serbë u rekrutuan për këto veprime në vitin 2025.

Të tre personat e dënuar vijnë nga ai vend.

Vendimet i identifikuan ata si anëtarë të një grupi që ndihmoi punën e një shërbimi të inteligjencës së huaj dhe nxiti urrejtje, diskriminim dhe dhunë në Paris dhe Berlin.

Identitetet e shumicës së anëtarëve të grupit janë të fshehura në dokumente. Thuhet se grupi u organizua nga një shtetas serb së bashku me një person me nofkën “Gjahtari”, për të cilin nuk ka informacione të mëtejshme.

Incidentet në Paris dhe Berlin

Veprimi i parë u krye në prill 2025 në Paris, kur anëtarët e grupit ngjitën afishe me përmbajtje gjenocidale të drejtuara kundër armenëve dhe myslimanëve.

Në maj të të njëjtit vit, në prag të finales së Ligës së Kampionëve midis PSG-së dhe Interit, grupi dëmtoi sinagogat, restorantet hebraike dhe Muzeun e Holokaustit në Paris me bojë të gjelbër.

Në korrik, skelete plastike u vendosën përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, pranë memorialit kushtuar hebrenjve të vrarë të Evropës.

Në shtator 2025, disa anëtarë të grupit shkuan përsëri në Paris, ku lanë koka derri të prera përpara nëntë xhamive dhe shkruan grafite.

Të gjitha këto veprime, sipas vendimeve, kishin për qëllim nxitjen e intolerancës fetare dhe racore dhe destabilizimin e situatës politike në vendet evropiane.

Sfond më i gjerë politik

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për t’u distancuar nga Moska, kontaktet zyrtare midis dy vendeve nuk janë ndërprerë.

Ekspertët paralajmërojnë se një situatë e tillë politike krijon një mjedis të favorshëm për funksionimin e strukturave të inteligjencës ruse në rajon. /tesheshi