Zelensky zotohet të luftojë për Bakhmutin ndërsa sulmet ajrore ruse godasin Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i vendosur të luftojë për qytetin lindor të Bakhmutit, pavarësisht raporteve për një tërheqje të pjesshme dhe mosmarrëveshjeve rreth planit, njoftoi të hënën zyra e tij.

Sipas disa analistëve ushtarakë, nëse Rusia merr kontrollin e Bakhmutit, një rrugë për në qytetet kryesore të Slovyanskut dhe Kramatorskut do të hapej për trupat e Moskës. Atëherë ata do të ishin më afër pushtimit të plotë të rajonit të Doneskut.

Megjithatë, ekspertë të tjerë thonë se rrethimi i qyteteve tani është i pamundur pasi forcat e Kremlinit u dëbuan nga rajoni i Kharkivit në veri te vendit, dhe se vlera e Bakhmutit do të ishte thjesht një nxitje morale simbolike për rusët.

Zelensky zhvilloi një takim me komandantin e përgjithshëm, Valerii Zaluzhny dhe kreun e forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi mes raporteve për mosmarrëveshje.

“Ata shprehën mbështetjen e tyre për vazhdimin e operacionit të mbrojtjes dhe forcimin e mëtejshëm të pozicioneve në Bakhmut”, tha zyra e Zelensky në një deklaratë.

Por, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA beson se një tërheqje e pjesshme e Ukrainës mund të jetë në proces në qytet.

“Forcat ukrainase mund të tërhiqen nga pozicionet e tyre në bregun lindor të lumit Bakhmutka, duke pasur parasysh shkatërrimin e urës hekurudhore mbi lumin në veri-lindje të Bakhmut më 3 mars, siç konfirmohet nga imazhet e gjeolokacionit”, tha ISW. /atsh