Zgjedhja e shokut të jetës 1

Natyra e marrëdhënieve bashkëshortore dhe dimensionet e tyre:

Para se të flasim mbi mënyrën e zgjedhjes së partnerit të jetës, lipset të informohemi mbi natyrën e marrëdhënieve bashkëshortore më parë. Kjo bëhet me qëllim që të prezantohemi me nevojat dhe rëndësinë e zgjedhjes:

Së pari: Marrëdhëniet bashkëshortore janë marrëdhënie shumë dimensionale, që do të thotë se janë marrëdhënie trupore, emocionale, sociale dhe shpirtërore. Që këtu, ne duhet ti kemi parasysh të gjitha këto dimensione, para se të hedhim hapin e martesës. Çfarëdo lloj martese e cila lidhet në bazë të një dimensioni të vetëm, sado i rëndësishëm të jetë ai, është e mbushur me rreziqe të shumta.

Së dyti: Marrëdhëniet bashkëshortore janë marrëdhënie të përhershme, ose më mirë të themi se duhet të jenë të tilla. Ato nuk shihen të kufizuara vetëm në këtë botë, por shtrihen edhe në botën tjetër, ahiretin.

Së treti: Marrëdhëniet bashkëshortore janë shumë intime, saqë shpesh herë arrijnë në një pikë shkrirjeje.

Së katërti: Marrëdhëniet bashkëshortore janë shumë të ngushta dhe private. Mes dy bashkëshortëve ekzistojnë sekrete dhe të fshehta të cilat nuk mund dhe nuk duhet ti dijë asnjë palë e tretë.

Gabimi më i madh që ndodh gjatë zgjedhjes së partnerit, është kur njëra palë fokusohet vetëm tek njëri dimension, pra bëhet zgjedhje një dimensionale, pa u kushtuar rëndësi dimensioneve të mbetura. Martesa nuk është një lidhje vetëm mes dy personave, por është edhe lidhje mes dy familjeve dhe dy fiseve. Pra, harku i lidhjeve vjen duke u zgjeruar dhe ndikon në marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve pozitivisht ose negativisht. Që këtu, duket qartë rëndësia e familjes së re, familjes dhe shoqërisë prej nga rrjedhin secila palë. Do të tingëllonte shumë e rëndë nëse njëra palë do të deklaronte se: ”Mua më intereson vetëm partneri me të cilin do të kaloj jetën. Sakaq, familja, farefisi dhe shoqëria ku ka lindur dhe jetuar nuk më intereson fare.” Partneri mban në gjenet e tij aspekte pozitive dhe negative të familjes dhe mjedisit ku ka jetuar. Është e pamundur ta imagjinojmë një person që e ka filluar jetën e tij bashkëshortore si një tabula rasa (faqe e bardhë), i pandikuar nga e kaluara e tij. Është i pakontestueshëm fakti që Ne formimin e personalitetit te tij kane ndikuar dhe influencuar rrethi i tij, njerëzit dhe ngjarjet te cilat po ashtu ndikojne edhe ne sjelljet apo veprimet e se ardhmes.

Thotë profeti Muhamed a.s:”Njerëzit u ngjajnë metaleve si ai i floririt dhe argjendit. Më të mirët prej tyre para islamit, mbeten më të mirët edhe pas islamit, nëse e kuptojnë drejt.” (Hakim)

Zgjedhja e partnerit

Disa njerëz besojnë se martesa është kësmet dhe fat, prandaj nuk ia vlen të harxhohet kohë për tu menduar gjatë, për tu interesuar dhe për të pyetur. Ajo është një çështje e caktuar që pa lindur dhe i duhet dorëzuar fatit sido që të jetë, pasi njeriu nuk ka dorë në të. Ky është një këndvështrim pasiv dhe pesimist, i cili bie ndesh me mendjen e logjikën e shëndoshë, ashtu siç bie ndesh me fenë dhe besimin. Kjo, pasi edhe pse e gjithë gjithësia i nënshtrohet vullnetit të Zotit, ne jemi të obliguar të veprojmë sipas lidhjes së shkakësisë në çdo gjë. Ajo kërkohet në radhë të parë në çështjen e zgjedhjes së bashkëshortit, bazuar në rëndësinë e kësaj lidhjeje të cilën e cekëm më lart. Në këtë rast, ajo duhet të përfshijë të gjithë stadet e mundshme, të cilat do i përmendim si më poshtë:

1 – Shikimi dhe të biseduarit. Në këtë stad, duhet të shikohet kandidati për fejesë dhe të bisedohet me të. Nga eksperienca jetësore, gjatë bisedës duhen zbuluar cilësitë, natyra dhe moralet e tij/saj. Kjo, duke analizuar mesazhet verbale dhe joverbale.

2 – Konsulenca dhe këshillimi. Duhet që të këshillohemi me njerëzit e afërt, të cilët kanë eksperiencë dhe e njohin natyrën e njeriut, ashtu siç duhet të pyesim njerëzit e afërt të palës tjetër, shoqërinë, komshinjtë dhe të njohurit. Kështu, ne sigurojmë informacionin që nuk mund ta sigurojmë gjatë takimit dhe bisedës. Kjo na mundëson të njohim historinë personale të tij/saj, të njohim natyrën e familjes ku është rritur dhe natyrën e shoqërisë ku ka jetuar. Është mirë që njëra palë ose të dyja, t’i referohen ndonjë specialisti i cili përcakton të përbashkëtat mes tyre dhe pikat dhe ato që i ndajnë, bazuar në një lexim të natyrës së secilit dhe kushteve ku kanë jetuar.

3 – Namazi i istihares. Sado që të kemi parë, menduar dhe këshilluar, mbeten shumë aspekte të fshehta tek pala tjetër, të cilat nuk mund ti dijë kush tjetër përveç Zotit të lartësuar. Bazuar në këtë, ne i drejtohemi Atij që të na udhëzojë drejt vendimit të drejtë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një nga vendimet më të rëndësishme që mund të ndërmarrim në jetën tonë, nëse nuk është më i rëndësishmi.

Namazi i istihares është një kërkesë për frymëzim dhe inspirim për të vepruar më të mirën dhe të pëlqyerën tek Zoti, pasi të jenë ndjekur të gjithë hapat njerëzor përkatës. Sakaq, ata që e përdorin namazin e istihares për të kursyer përpjekje, mendime, studim dhe lodhje, janë larg objektivit të saj dhe larg të menduarit të drejtë.

Namazi i istihares përbëhet nga dy rekate namazi, me nijetin për të kërkuar udhëzimin e Zotit në një çështje të caktuar. Lutja pas namazit është:“O Zoti im, kërkoj të më drejtosh me diturinë Tënde. Kërkoj fuqi nga fuqia Jote dhe kërkoj të më japësh nga mirësitë e Tua, pasi Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di dhe Ti e di çdo të fshehtë.

O Zot, nëse e di që kjo që po bëj (martesa ime me filanin/filanen) është e dobishme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, atë të afërmen dhe të largëtën, ma mundëso mua që të realizohet dhe me jep bekime në të.

E nëse kjo është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, atë të afërmen dhe të largëtën, largoje atë nga unë dhe më largo mua prej saj. Ma cakto të mirën kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.” (Imam Buhari)

Rezultati i namazit të istihares vjen në formë udhëzimi dhe orientimi drejt një zgjedhjeje të caktuar, e cila është më e duhura dhe jo siç pretendojnë disa që të shfaqet diçka e gjelbër ose e bardhë në gjumë. Namazi i istihares i jep njeriut një mbështetje të fuqishme morale, e cila e mbron nga ndjenja e pendimit dhe të bëri pishman më vonë.

Përshtatja dhe përkimi, jo ngjashmëria dhe njëjtësimi

E rëndësishme tek dy partnerët e jetës është që secili tu përgjigjet nevojave të tjetrit në mënyrë të ndërsjellë. Kjo nuk do të thotë që ata të jenë të ngjashëm dhe të njëjtë, por që të plotësojnë njëri-tjetrin, ku të realizohet teoria e kompensimit.

Tipa personalitetesh që duhen marrë në konsideratë para martese:

Çështja e këshillimit zakonisht bazohet tek amaneti, pjekuria dhe informacioni i të tjerëve, ku mundësia e marrjes së informacionit të gabuar është e madhe. Kjo, për shkak të komunikimit të ulët mes njerëzve, mos njohja e tyre mjaftueshëm edhe pse mund të jenë fqinj ballë për ballë njëri-tjetrit. Për këtë, takimi personal merr një rëndësi të madhe në vendimin për martesë, pasi është kontakt pamor dhe i vërtetë i tjetrit, pa ndërmjetës. Megjithatë, ky kontakt ndërpersonal i drejtpërdrejt ka nevojë për dije dhe aftësi, me qëllim që të depërtojmë tek personaliteti i tjetrit dhe përcaktimi i tipit të tij. Diçka e tillë është bërë e mundur falë studimeve të shumta psikologjike, sipas të cilave personalitetet ndahen në disa tipa, ku secili ka karakteristikat e veta dhe kode të cilat na mundësojnë ta lexojmë dhe njohim deri diku. Në përgjithësi, njerëzit zbukurohen dhe veshin maska, por nuk arrijnë dot që cilësitë e tyre të vërteta ti mbajnë të fshehta gjatë gjithë kohës. Atyre u shpëtojnë shumë gjëra nëpërmjet të cilave mund të lexojnë tiparet e tjera të fshehura, për tu paraqitur sa më mirë, pse jo, dhe për të mashtruar. Sidomos kur takimet para fejesës ose gjatë saj, janë më shumë se një. Kemi një sërë personalitetesh me të cilat është vështirë të jetohet. Një sërë tjetër janë personalitete me të cilat mund të jetohet, edhe pse me probleme dhe vuajtje, të cilat do ti cekim në rreshtat në vijim. Këto dhe të tjera do i sqarojmë më poshtë, me qëllim që të ndihmojmë të interesuarit që ta njohin sa më mirë njëri-tjetrin, mundësisht pa maska dhe shtirje.

Së pari: Personalitetet me të cilat është vështirë të jetohet:

1 – Personaliteti paranoid, dyshues dhe arrogant. Boshti i këtij personaliteti përbëhet nga dyshimi dhe mendimi keq për të gjithë njerëzit. Ata presin më të keqen dhe armiqësinë nga njerëzit e tjerë. Sipas tyre, të gjithë njerëzit janë të këqij dhe komplotist. Ata janë njerëz që nuk e njohin dashurinë, mëshirën dhe tolerancën, sepse në fëmijërinë e tyre të hershme nuk e kanë marrë dashurinë nga burimi themeltar, dy prindërit. Prandaj, ata nuk e njohin ligjin e dashurisë. Ata ndihen të nënvlerësuar dhe shfaqin tendenca agresiviteti, gjë e cila shfaqet në forma të ndryshme si kritikat thumbuese të vazhdueshme adresuar të tjerëve, si dhe talljet ofenduese. Sakaq, ata e kanë të vështirë të pranojnë dhe mirëkuptojnë kritikat e të tjerëve. Ata janë shumë të ndjeshëm për gjithçka që u përket.

Personi paranojak nuk ndryshon mendim me dialog dhe debat, pasi ka disa parime të qëndrueshme të cilat nuk i ndryshon. Prandaj, biseda me ta është paksa e mundimshme dhe pa dobi. Ata janë të prirur të keqinterpretojnë çdo fjalë duke i parë nga një këndvështrim tendencioz dhe negativ. Ashtu siç besojnë se të gjithë mundohen ti mashtrojnë dhe ti tradhtojnë. Ata lëshojnë akuza ndaj të tjerëve gjatë gjithë kohës dhe sido që pala tjetër të orvatet të vërtetojë sinqeritetin dhe besueshmërinë, nuk do ia arrijë dot. Madje, thjesht mund t’ia shtojë më shumë dyshimet dhe skepticizmin. Orvatjet e të tjerëve për tu afruar dhe për tu miqësuar me ta, i stresojnë dhe ua shtojnë më shumë dyshimet. Këta tipa e kanë shumë të theksuar nevojën për pushtet. Nëse arrin dhe realizon atë që synon, ai ndihet krenar, madhështor dhe i madh, duke i parë të tjerët me ironi dhe nënçmim.

Pyetje që shtrohet është: Si ta zbulojmë dhe njohim këtë personalitet gjatë periudhës së prezantimit ose fejesës?

Njerëz të tillë demonstrojnë shumë dyshime lidhur me qëllimet e të fejuarës. Ai e pyet shpesh të fejuarën ku ishte, me kë bisedoi, çfarë do të thotë me atë fjalë, duke e vendosur gjithmonë në karrigen e të akuzuarit. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj çdo kritike, ndërkohë që ironizon dhe tallet me të tjerët në mënyrën më të pacipë. Nëse është vajzë, ajo është shumë xheloze deri në bezdi, edhe me njerëzit më të afërt. Ajo është shumë e ndjeshme ndaj çdo fjale, apo qëndrimi dhe dyshuese pa arsye. Në sytë e saj, i fejuari nuk është gjë tjetër veçse një mashtrues, gënjeshtar dhe tradhtar. Ajo kontrollon shpesh herë telefonatat e të fejuarit, e përgjon fshehtazi teksa flet në telefon, kontrollon letrat, axhendat dhe sirtarët e zyrës, për të gjetur diçka që e implikon në tradhti. Me këta persona, pala tjetër nuk gjen asnjë rast për tu ndjerë ndjerë i/e lutur, pasi e gjithë koha kalon në hetime, akuza, mbrojtja, kërkim faktesh dhe prova besnikërie.

Zakonisht, tipat paranojak i hasim tek të divorcuarit, beqarët dhe tek personat me prirje ekstremiste. Jeta bashkëshortore me këta tipa dhe këto tipare është shumë e vështirë, ndonjëherë e pamundur.

2 – Personaliteti narcizist, të cilit i pëlqen vetja deri në ekstrem. Kjo fjalë (narcizist) vjen nga greqishtja e vjetër, narcissus, me burim mitologjik, ku një djalë grek, u ul para një grope me ujë. Ngaqë i pëlqeu vetja e pasqyruar në ujë, ai vazhdoi duke u parë derisa vdiq. Personi narcizist, është shumë i lidhur me veten, e sheh veten si më të bukurin, më inteligjentin dhe më të fuqishmin. Ai beson se është gjenial në çdo gjë dhe për këtë është boshti i gjithësisë, ku të gjithë sillen rreth tij, i binden me besnikëri, e urojnë për sukseset dhe e lëvdojnë për cilësitë e tij të rralla. Tipa të tillë i dallon me ti parë, pasi i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme pamjes së jashtme dhe shëndetit. Ai flet shumë për veten e tij, arritjet dhe ambiciet. Aq shumë i pëlqen vetja, saqë nuk sheh askënd të denjë për tu krahasuar me të. I përdor të tjerët në shërbim të objektivave të veta, mandej i braktis dhe i përçmon. Ai nuk ka hapësirë për tu falur të tjerëve sado pak dashuri, pasi në fakt, nuk do tjetër kënd përveç vetes. Nëse detyrohet të shtiret sikur do dikë, kjo dashuri është e thatë, aspak e ngrohtë dhe e thellë. I pëlqen të lëvdohet dhe të jetë i famshëm gjatë gjithë kohës. Gjërave sipërfaqësore u kushton interes dhe vëmendje më shumë se thelbit dhe esencës.

Jeta me të është shumë e vështirë, pasi nuk ka aspak gatishmëri për ti falur partnerit/partneres sadopak dashuri, përkundrazi, mund ta përdorë atë si një mjet për të kënaqur egon e tij dhe për të përforcuar dashurinë për vetveten

3 – Personaliteti dramatik dhe fals.

Këtë personalitet, e hasim më së shumti mes vajzave dhe grave. Ai është një personalitet polemizues dhe përbën personalitetin tipik të femrave për të cilat janë shkruar vjersha e romane. Njerëzit që kanë të bëjnë me këtë tip femre, ndihen të hutuar dhe shpesh herë në kontradiktë. Në përgjithësi, këto gra janë tejet të bukura dhe tërheqëse, të joshin gjoja në emër të dashurisë, por nuk ta japin atë, të çojnë tek çezma por nuk të japin ujë, të premtojnë dhe nuk e mbajnë fjalën. Të mjerët ata që kanë të bëjnë me femra të tilla. Në aparencë, ato demonstrojnë nxehtësi emocionale, por nga brenda janë akull të ftohta emocionalisht. Para joshjeve të saj seksuale thyhen burrat më të fuqishëm, por në fakt, ajo vuan nga ftohtësia seksuale. Marrëdhëniet seksuale i shkaktojnë neveri dhe qëndron larg tyre. Një tip të tillë, e dallon menjëherë nga veshjet, pasi pëlqen ngjyra të ndezura të cilat bien në sy, si e kuqja, e verdhja, jeshilja e ndezur dhe qëndisjet. Kur bisedon, ajo flet në mënyrë dramatike, si të ndodhej në një skenë dhe i ekzagjeron gjërat për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesve. Lidhjet e saj duken miqësore dhe të ngushta në aparencë, pasi është e aftë të shprehë e manifestojë dashuri e miqësi, por në fakt, ajo është krejt e paaftë në këtë aspekt. Në fillimin e lidhjes, e sheh plot entuziazëm, duke e ngritur palën tjetër në qiell. Por pas pak, entuziazmi i saj humbetdhe ndjenjat momentale dhe fals i shuhen, duke e injoruar krejtësisht atë që e deshte.

Shumë njerëz jepen pas bukurisë së saj, elegancës dhe aftësive për ta bërë tjetrin për vete. Por në fakt, ajo nuk mund ti japë tjetrit dashuri të vërtetë. Ajo është e paqëndrueshme, mashtruese dhe e mashtruar në të njëjtën kohë. Prandaj, jeta bashkëshortore me këtë tip duket e vështirë.

Ajo ka personalitet të brishtë dhe të papjekur. Me tu përballur me presionin e jashtëm më të ulët, nuk e përballon dot dhe shfaq simptoma histerizmi, humbje ndjenjash, ngërç, paralizë histerike, nuk shprehet dot etj… E gjitha kjo, për të fituar vëmendjen e njerëzve që e rrethojnë. Nëse nuk e fiton këtë, ajo kërcënon me vetëvrasje dramatike. Ndoshta edhe mund ta provojë, pasi të ketë shkruar një letër romantike dhe kanosëse në të njëjtën kohë. Kjo, për të rikthyer dhe një herë interesimin dhe vëmendjen e të tjerëve.

Ajo është egoiste dhe nuk i intereson tjetër kush përveç vetes. E ka të pamundur të kujdeset për të shoqin, shtëpinë apo fëmijët. Prandaj është një bashkëshorte dhe nënë e dështuar, e cila e kalon shumicën e kohës duke blerë rroba, xhevahire dhe bizhuteri. Kohën tjetër e kalon duke bërë makijazh, duke u parë në pasqyrë dhe duke ua treguar të tjerëve bizhutë dhe veshjet.

4 – Personaliteti dredharak, hileqari, mashtruesi dhe magjistari.

Ai është dredharak në maksimum, bën hile, ta hedh aty për aty, gojë ëmbël, bën premtime të shumta, por që nuk mban asnjërin. Ai nuk i respekton ligjet,rregullat dhe traditat, pasi nuk i qëndron besnik askujt. Besnikërinë e vetme ai ia ka dedikuar kënaqësive dhe epsheve. Ai i nënshtron të gjithë për ti shfrytëzuar dhe përdorur. Ai nuk nxjerr mësime nga gabimet dhe nuk ndihet asnjëherë fajtor ndaj ndonjërit. Ai nuk e njeh dashurinë, edhe pse është mjeshtër për ti bërë viktimat për vete, të cilëve u premton gjëra joshëse, pasi ti ketë zbuluar pikat e tyre të dobëta. Në takimin e parë me të, mbetesh pa fjalë nga etika e tij dhe aftësia për ta bërë për vete personin që ka përballë. Ai demonstron elasticitet dhe burrëri gjatë prezantimit të parë me të, por kur ke të bësh me të një kohë të gjatë, ose kur pyet njerëzit e tij që e njohin dhe mbi historinë e tij, do të gjesh se jeta e tij është plot me eksperienca dështimi dhe plot vepra amorale. Ai mund të jetë përjashtuar nga shkolla, ose puna, mund të këtë bërë burg për shkak të mashtrimeve të shumta. Ai mund të jetë i varur krejtësisht edhe nga lëndët narkotike. Një personalitet të tillë, e njohin mirë njerëzit që kanë njëfarë eksperience në jetë. Ato që bien pre e tij janë femrat në moshë të njomë. Ai u ngre pusi sidomos atyre femrave që nuk janë joshëse dhe nuk kanë vlerësim për veten, duke i bindur se është i dashuruar pas tyre. Pasi ia mbush mendjen për këtë dashuri, e shfrytëzon në maksimum si materialisht ashtu dhe seksualisht. Ai e fut ate në konflikte me prindërit dhe familjarët, me qëllim që ta pranojnë si dhëndër. Sa më shumë që familjarët e refuzojnë si dhëndër dhe e këshillojnë vajzën të largohet prej tij për shkak të kaluarës së zezë të tij dhe të familjes së tij, aq më shumë vajza insiston në dashurinë e tij të pastër. Nëse familjarët e pranojnë si dhëndër, të detyruar nga presioni i vajzës së tyre të mashtruar, shumë shpejt ai e braktis dhe e mashtron. Por edhe nëse nuk e braktis, e bën të vuajë gjithë jetën.

5 – Personaliteti i papërmbajtur, ai që është në kërkim të kënaqësisë.

Ky person, është i pajisur me një “radar” të cilin e ka instaluar vetëm për të gjurmuar vendet e argëtimit. Për çdo qëndrim, është kënaqësia ajo që e vë në lëvizje. Prandaj ai i provon të gjitha llojet e drogave dhe pijeve alkoolike, si dhe të gjithë llojet e lidhjeve emocionale dhe seksuale, për më tepër kënaqësi.

Ai thjesht kërkon ti provojë të gjithë gjërat dhe njerëzit dhe nuk e njeh besnikërinë ndaj asnjë personi. Ai nuk ndjen përgjegjësi ndaj askujt, prandaj jeta me të nuk është e gjatë. Jeta e tij është plot ndryshime dhe çrregullime. Atë e dallon fort mirë kur mban cigaren mes gishtave dhe thith tymin e saj sa më thellësisht, duke e ndjerë në maksimum. Ai është shumë i lidhur me pijet dhe ushqimet, sidomos duhanin, filxhanin e kafesë, hashashin dhe bingon. Ashtu siç përdor pa karar qetësuesit dhe lëndët dehëse. Për një person të tillë, femra nuk është më shumë se një objekt seksual të cilin e braktis pasi të ketë realizuar kënaqësitë e tij.

Megjithatë, ai është mjeshtër për biseda të ngrohta, shumë tërheqës seksualisht, i bind njerëzit se është i vendosur për tu shkëputur nga droga dhe se dashuria është ilaçi më i mirë për këtë. Viktima mashtrohet dhe beson se do të luajë rolin e heroit në shërimin dhe udhëzimin e këtij të riu zemërmirë, të cilit jeta dhe njerëzit i kanë bërë kaq shumë padrejtësi. Ajo insiston të fejohet dhe mandej martohet me të, me gjithë kundërshtitë e familjarëve, të cilët e njohin të kaluarën e tij. E pas kësaj, ndodh katastrofa e madhe, ku viktima e mjerë zbulon se narkomania rrjedh në enët dhe venat, jo në duart e tij.

Shenjat më kryesore të këtij personaliteti, të cilat mund të shfaqen gjatë periudhës së njohjes ose të fejesës janë: pirja e duhanit plot grykësi, përdorimi i llojeve të ndryshme të drogave – nuk është kusht të jetë narkoman i të gjithave – lidhjet e shumta emocionale dhe seksuale, si dhe problemet në punë.

Nga: Muhamed Elmehdij

Perktheu: Elmaz Fida