Zgjedhjet lokale, 240 ankesa dërgohen në PZAP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar dje në faqen zyrtare rezultatet përfundimtare të dala nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Kandidatët e pakënaqur me rezultatet kanë pasur mundësinë që dje nga ora 12 të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan Indeksonline.

Për këtë periudhë në PZAP kanë nisur ankesat e tyre më shumë se 240 kandidatë të partive politike.

Kështu ka thënë për Indeksonline kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, sipas së cilit afati për ankesa përfundon sot në ora 12.

“Ju informoj se dje ne PZAP, duke filluar nga ora 12:00 deri ne ora 21:00, nga kandidatet për anëtarë te kuvendeve komunale ndaj vendimit te KQZ-se lidhur me publikimin e rezultateve përfundimtare te zgjedhjeve lokale janë paraqitur 243 ankesa. Edhe sot po vazhdon paraqitja e ankesave ne PZAP. Afati për te paraqitur ankesa lidhur me publikimin e rezultateve është deri me sot ne ora 12:00”, ka thënë Desku.

Sipas tij, afati për të vendosur lidhur me këto ankesa nga PZAP-i është 72 orë prej momentit te përfundimit te afatit për paraqitjen e ankesave, d.m.th. prej sot me datë 10.11.2017 në ora 12:00 deri ditën e hënë me datën 13.11.2017 në ora 12:00.

“Jemi ne vlugun e punës për të proceduar dhe shqyrtuar ankesat dhe nuk kemi nxjerrë te dhëna se nga cila parti ka me shumë ankesa. Natyra e ankesave është mospërputhje e rezultateve dhe mungese e votave”, ka shtuar Desku. /