Zhvilluesit kanë fituar 60 miliardë dollarë nga App Store në 2021

Në fund të 2020-ës kjo shifër ishte 200 miliardë dollarë, që do të thotë se vetëm vitin e kaluar 60 miliardë dollarë kanë shkuar për zhvilluesit.

Pavarësisht përballjes me padi të shumta, shtrëngim të masave nga rregullatorët në tregje të ndryshme, Apple raportoi ditën e djeshme një statistikë rekord për App Store në 2021.

Kompania tha se që prej 2008-ës kur u lançua, dyqani i aplikacioneve App Store ka paguar më shumë se 260 miliardë dollarë zhvilluesve të aplikacioneve.

Në fund të 2020-ës kjo shifër ishte 200 miliardë dollarë, që do të thotë se vetëm vitin e kaluar 60 miliardë dollarë kanë shkuar për zhvilluesit.

Po ta krahasojmë me fundin e 2019-ës që Apple kishte paguar zhvilluesit nga 2008 deri në atë moment 155 miliardë dollarë, tregon se gjatë 2020-ës ata kishin fituar 45 miliardë dollarë.

Në 2020-ën Apple lançoi programin Small Business ku kompania reduktoi komisionin nga 30% në 15% për aplikacionet që fitonin më pak se 1 milionë dollarë në vit. Kompania reduktoi komisionet edhe për disa aplikacione të mediave më popullore.