Zoti është i dashuri i të gjithë mëkatarëve

Elmaz Fida

Malik bin Dinar i kishte ardhur në majë të hundës nga sjelljet acarruese të një të riu, i cili jetonte në shtëpinë përbri. Për një kohë të gjatë e duroi, me shpresë se do të ndryshonte sjellje e të bëhej tjetër njeri. Por kur e liga e tij veç shtohej, vendosi të flasë me të dhe ti kërkojë të ndryshojë sjellje.
I riu, pasi e dëgjoi me qetësi, i tha se ishte në besën e vetë sulltanit, prandaj dhe askush tjetër s’kishte të drejtë ti imponojë një stil jete të caktuar.
Malik, duke ndjerë dështimin, i tha:”Atëherë do të shkoj vetë tek sulltani dhe ti qaj hallin.”
I riu ia priti direkt:”As mos u lodh kot, se nuk e ndryshon mendimin që ka për mua.”
Malik i tha:”Nëse është kështu, do ta ngre çështjen tënde tek Zoti, do i ankohem atij.”
I riu iu përgjigj:”Zoti është falës më i madh se të gjithë ata që më gjykojnë.”
Duke mos patur zgjidhje tjetër, Malik u largua, por veprat e të riut veç sa përkeqësoheshin, saqë një pjesë e banorëve të lagjes protestuan kundër tij. Në një situatë të tillë, Malik vendosi të shkojë dhe ta qortojë. Gjatë rrugës për tek shtëpia e fqinjit, dëgjoi një zë nga lart që i thoshte:”Mos e prekni të dashurin tim! Ai është në mbrojtjen time!” Ky zë e pështjelloi Malikun, i cili edhe pse kishte mbërritur tek shtëpia e të riut, s’dinte ç’ti thotë dhe nga t’ia nisë.
I riu, duke vënë re hutimin e tij i tha:”Përse ke ardhur tani?”
Malik iu përgjigj:”Erdha të të qortoj për çfarë bën, por duke ardhur rrugës, dëgjova një zë nga lart që më thoshte:” Mos e prekni të dashurin tim! Ai është në mbrojtjen time!”
Djaloshi u drodh nga këto fjalë që dëgjoi dhe pyeti:”Më thirri i dashur?” Ndërkohë, Malik ishte larguar nga shtëpia e tij.
Disa vite më vonë, Malik e takoi të riun në Mekë. Ai ishte prekur aq shumë nga ato fjalë që kishte dëgjuar, saqë kishte braktisur jetën që bënte dhe ishte vendosur në Mekë. Ai i tha:”Erdha këtu të kërkoj të dashurin tim.”
Zoti është i dashuri i të gjithë mëkatarëve! Është një fjalë shumë e rrezikshme, aq sa është dhe mrekulli bërëse.

Nga: Prof. Elmaz Fida