Zyrtarizohet aktakuza e “hajnit të pulav’”

Aktakuza kundër 12 ish-anëtarëve të Komisionit qeveritar për verifikim të veteranëve të luftës, në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”, e shkruar para më shumë se dy muajsh nga ish-prokurori Elez Blakaj, të cilin krerët e shtetit e akuzuan si “hajn i pulav’” dhe “frikacak”, është dorëzuar në Gjykatë nga Prokuroria Speciale.

Personat që akuzohen janë të njëjtët, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjithë 12 ish-anëtarët e Komisionit për verifikimin e veteranëve të luftës: Agim Çeku, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demalijaj, Shukri Buja, Sadik Halitjaha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj do të përballen me aktakuzën “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Dallimi, sipas komunikatës përmes së cilës ka njoftuar Prokuroria e Shtetit për këtë aktakuzë, është që emrat e përfituesve i janë shtuar diapozitivit të aktakuzës.

Por këta emra u patën identifikuar nga ish-prokurori Blakaj dhe i ishin bashkëngjitur aktakuzës disa CD ku ishin të skanuar emrat e të gjithë përfituesve të jashtëligjshëm.