Ç’të bësh do gjesh

Dikur në kohë të lashta, atëherë kur nuk ishte shpikur akoma pasqyra, dy burra qëndruan në bregun e një liqeni të madh dhe të thellë. Të dy, u mrekulluan me pamjen që ofronte liqeni dhe natyra përreth.

Njëri prej tyre, e zgjati kokën dhe në ujë u shfaq imazhi i tij, ai buzëqeshi dhe imazhi i buzëqeshi, ai ia lëvizi dorën në shenjë përshëndetje dhe imazhi ia ktheu me të njëjtën lëvizje. Ai nuk e dinte se ai që shihte brenda ujit të liqenit, ishte pikërisht imazhi i tij.

Sakaq, edhe shoku i tij i cili ishte paksa i mërzitur, u afrua pranë ujit dhe vuri re pasqyrimin e një burri brenda në liqen, një burrë që e shihte gjithë zemërim, gati për t’iu hedhur në fyt. Menjëherë mori një gur dhe ia hodhi, duke dashur ta qëllojë, e ndoshta dhe ta vrasë. Në ujë iu shfaq një person me gur në dorë, të cilin ia lëshoi drejt. Sigurisht uji i liqenit formoi valë të njëpasnjëshme dhe u trazua.

Pasi u larguan nga liqeni dhe gjatë rrugës së kthimit, burri i dytë, gjithë nerva i tha shokut të tij:”Zot na ruaj! Çfarë ishin ato malukatë në atë liqen! Nuk vij më kurrë në këtë vend të frikshëm!”

Kurse shoku i tij ia ktheu:”Jo, e ke gabim. Ishte shumë vend i këndshëm, aty brenda pashë njerëz të mirë që buzëqeshnin. Unë për vete do të kthehem sërish.”

E tillë është jeta, na e kthen me të njëjtën monedhë.