Idlib, 20 mijë civilë të tjerë të zhvendosur pranë kufirit turk në 48 orët e fundit

Numri i civilëve që kanë migruar pranë linjës kufitare turke nga rajoni sirian i Idlibit që nga fillimi i nëntorit është rritur në 284 mijë si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit, Rusisë dhe grupeve të mbështetura nga Irani, pasi së fundmi edhe 20 mijë civilë janë zhvendosur në këtë zonë në 48 orët përkundër reduktimit të sulmeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Popullata në provincën e Idlibit filloi të zhvendoset drejt linjës kufitare me Turqinë që kur regjimi sirian dhe mbështetësit e tij i filluan sulmet në nëntor dhe nisën një operacion më 20 dhjetor.

Familjet nga Idlibi kanë vazhduar të shpërngulen pranë linjës kufitare turke nga frika e vazhdimit të sulmeve, edhe pse bombardimet e fuqishme të Rusisë, regjimit sirian dhe grupeve të mbështetura nga Iranit u zvogëluan nga fillimi i javës së kaluar.

Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri, tha për AA se 20 mijë civilë janë zhvendosur në 48 orët e fundit, duke shtuar se numri i civilëve të shpërngulur pranë kufirit Siri-Turqi që nga fillimi i nëntorit ka arritur në 284 mijë.

Ai tha se në rast të riintensifikimit të sulmeve, një valë e re e migrantëve mund të fillojë nga rajoni Jabal al-Zawiya, me çka 250 mijë civilë mund të shpërngulen nga vendbanimet e tyre.