​Komandanti i FSK-së mori pjesë në Asociacionin e Ushtrisë së SHBA-ve

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama i shoqëruar nga një delegacion i FSK-së dhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA), Vlora Çitaku, ishin pjesë në ceremoninë e hapjes së takimit vjetor të Asociacionit të Ushtrisë së SHBA-ve(AUSA).

Gjeneral Rama  së bashku me delegacionin  e tij  pritet të vazhdojë vizitën me takime të tjera të  planifikuara në Pentagon.

Në ceremoninë e hapjes së takimit vjetor të Asociacionit të Ushtrisë së SHBA-ve ishte i pranishëm Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Jim Mattis si  dhe shumë delegacione ushtarake nga mbi 70 shtete. Sekretari  amerikan i Mbrojtjes, Mattis, gjatë fjalës  së tij, kryesisht, theksoi sfidat e sigurisë globale.

Komandanti i FSK-së, me këtë rast, ka zhvilluar edhe një varg takimesh të rëndësishme si: me shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneral Mark A. Milley dhe me shumë shefa të shtabeve të ushtrive të cilët ishin pjese në AUSA.

Në Uashington, gjeneral Rama është takuar edhe me komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë,  gjenerallejtënant Ben Hodges, me c ‘rast kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama,  gjithashtu ka takuar edhe drejtorin për Strategji, Politika dhe Plane në Departamentin e Operacioneve(G3/5), gjeneral major William Hix me të cilin ka  diskutuar lidhur me proceset në të cilat po kalon FSK-ja dhe mundësitë e zhvillimit dhe perspektivës së saj në të ardhmen.

Në të gjitha organizimet, komandanti i FSK-së i  ka njoftuar partnerët më të arriturat e FSK-së, besueshmërinë, profesionalizmin dhe procesin e planifikuar për transformimit e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK)./Mesazhi/