Ballina Lajmet Kosovë PZAP refuzon ankesat e kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave

PZAP refuzon ankesat e kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara ankesat e dy kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërim të plotë të votave preferenciale në nivel vendi.

Të dy kandidatët kishin paraqitur kërkesat e tyre pas Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026, duke pretenduar se rinumërimi i pjesshëm i disa vendvotimeve krijonte dyshime për pasaktësi edhe në pjesën tjetër të procesit të numërimit.

Në vendimet e marra në seancën e datës 22 qershor, PZAP ka vlerësuar se pretendimet e tyre mbeten në nivel supozimesh dhe nuk janë të mbështetura në prova konkrete e materiale.

Sipas ankesave, kandidatët i referoheshin vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta, rreth 7.41 për qind e totalit prej 2,498 vendvotimeve.

Ata argumentonin se gabimet e evidentuara në këtë mostër mund të nënkuptonin parregullsi edhe në vendvotime të tjera.

Bekim Haxhiu, me numër rendor 109 në listën e PDK-së, kishte theksuar se pas rinumërimit kishte fituar gjashtë vota shtesë, por se diferenca me kandidatin para tij mbetej 102 vota.

Ndërsa Qëndrim Kryeziu, me numër rendor 103, pretendonte se nga procesi i takonin 589 vota shtesë.

Nga ana tjetër, KQZ kishte kërkuar refuzimin e ankesave, duke sqaruar se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte një mekanizëm kontrollues ligjor dhe jo dëshmi për parregullsi sistematike.

Sipas KQZ-së, pretendimi i Kryeziut për 589 vota shtesë nuk qëndronte, pasi të dhënat zyrtare tregonin se ai kishte vetëm dy vota më pak pas rinumërimit.

Në arsyetimin e tij, PZAP thekson se aktivizimi i një mostre kontrolluese nuk krijon prezumim juridik për pasaktësi të përgjithshme në procesin e numërimit.

Sipas panelit, rinumërimi i plotë mund të urdhërohet vetëm në rastet kur ekzistojnë prova për parregullsi të mëdha dhe sistematike.

“Nuk mund të urdhërohet rinumërimi i plotë vetëm mbi bazën e pretendimeve hipotetike apo dyshimeve abstrakte, por vetëm kur ekzistojnë fakte dhe prova objektive”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Paneli ka vlerësuar gjithashtu se ndryshimet e konstatuara në vendvotimet e rinumëruara kanë qenë minimale dhe në të dy drejtimet, duke mos dëshmuar parregullsi të përgjithshme.

Kundër këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga pranimi i vendimit.