​Strehimi i afganëve në Shqipëri, Rama: Numrin më të madh të tyre e kërkuam ne

Kryeministri Edi Rama duke komentuar lajmi se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të sjellin përkohësisht në Shqipëri e në Kosovë qindra afgan, ka thënë se kjo kërkesë të aleatëve është bërë me kërkesën e vetë Shqipërisë.

Ai duke dhënë detaje ka thënë se pjesën e madhe të afganëve në rrezik për jetën të mbetur në mëshirë të fatit e kërkoi qeveria e tij.

“Përtej moralit në vetvete të kësaj fabule njerëzore, ca shqipo mendjefikur e harrojnë se ne jemi kaherë aleatë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm kur na duhen për hallet tona, siç na u deshën bombat e tyre për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik i Sllobodan Millosheviqit; siç na u desh zëri i tyre i superfuqishëm për ta hapur rrugën e pavarësisë së Kosovës apo për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO; siç na duhet gjithnjë mbështetja e tyre për të forcuar pozitat tona kombëtare e shtetërore, po edhe kur ne u duhemi atyre ndonjëherë, jo për t’i shpëtuar ata siç ata na kanë shpëtuar ne në kthesa historike, por për t’u gjendur në krah të tyre kur edhe ata, ja që ndodh, kanë nevojë për diçka të vogël prej nesh”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka shtuar se nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate.

“Uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, ka shkruar ai.

Rama tha po ashtu se gjatë samitit të NATO-s ai kishte ngritur çështjen e mbrojtjes së afganëve që kanë punuar me forcat ndërkombëtare.

Reuters kishte raportuar se Administrata amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Burimet i kanë thënë agjencisë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Washington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.