14 automjete të përfshira dhe disa persona të lënduar nga aksidenti zinxhiror në Fushë-Kosovë

14 automjete dhe disa persona janë lënduar nga aksidenti i rëndë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në rrugën Mazgit – Bresje.

Për teve1.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se kjo rrugë është bllokuar përkohësisht.

“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje mbi urë te ETC-ja sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksdentit raportohet edhe për persona té lënduar”, tha Hoxha.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet emergjente, të cilët sipas Hoxhës po merren me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar.

“Përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kane reaguar ne vendin e ngjarjes për tu marrë me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar. Lidhur me detaje tjera do te njoftoheni pas raportimeve që do marrim nga ekipet ne teren”, deklaroi ai.

Tutje, zëdhënësi i Policisë apeloi për kujdes gjatë vozitjes gjatë kohës me ngrica dhe mjegull në mënyrë që të shmangen aksidentet e tilla./