1400 të vetëvrarë, shifra alarmante në RMV, 33 viktima në 3 muajt e fundit

Në 10 vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut janë vetëvrarë mbi 1400 persona, ndërsa në vetëm tre muajt e fundit të vitit të kaluar janë regjistruar 33 vetëvrasje. Pandemia ka lënë pasoja të shumta në shëndetin mendor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe kjo shfaqet në shifrat e larta të vetëvrasjeve.

Në Maqedoninë e Veriut mesatarisht ndodhin rreth 130 vetëvrasje në vit. Ndërsa më së shumti tendencë për vetëvrasje kanë burrat se sa femrat.

Në vitin 2022, 101 persona janë vetëvrarë, prej të cilëve 84 burra dhe 17 gra. 119 persona janë vetëvrarë në vitin 2021, dhe 144 në 2020.

VETËVRASJET NË DEKADËN VITET E FUNDIT NË RMV

2022 – 101 vetëvrasje (burra 84 – gra 17)

2021 – 119 vetëvrasje (burra 88 – gra 31)

2020 – 144 vetëvrasje (burra 110 – gra 34)

2019 – 106 vetëvrasje

2018 – 116 vetëvrasje

2017 – 111 vetëvrasje

2016 – 125 vetëvrasje

2015 – 114 vetëvrasje

2014 – 147 vetëvrasje

2013 – 170 vetëvrasje

2012 – 172 vetëvrasje

Psikologia Edlira Destani vlerëson se fenomeni i vetëvrasjeve madje është më serioz se sa shifrat zyrtare pasi ka raste që nuk trajtohen si të tilla.

“Dy tre vitet e fundit vërtetë është një trend në rritje për shkak të pandemisë dhe shifrat pothuajse janë dyfishuar në të gjitha vendet, përfshirë edhe vendin tonë, por se faktet e tjera që edhe më herët nga ana mediatike ose publike nuk merreshin vesh shifrat e sakta të suicideve. Mbuloheshin me gjëra të tjera”, thotë psikologia Edlira Destani.

Profili më i zakontë i personave që janë vetëvrarë janë meshkujt mbi 30 vjeç, dhe në të shumtën e rasteve me probleme të shëndetit mendor ose probleme sociale.

10 vite më parë në Maqedoninë e Veriut ekzistonte një linjë shërbimi për personat depresivë, por tashmë ajo është jashtë funksionit.

“Nuk është në funksion prej 15 ose 20 vitesh ajo linjë. Kemi servis online dhe numër telefoni për ndihmë psikologjike por jo vetëm për vetëvrasjet, është universale. Kemi kapacitetet për të biseduar dhe për tu marrë me çdo rast individualisht”, shprehet Stojan Bajraktarov, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë në Shkup.

Në pandemi, Klinika e Psikiatrisë ka pasur deri 5 mijë thirrje për ndihmë psikologjike për shkak të ankthit, sulmeve të panikut, depresionit dhe gjendjeve të tjera shqetësuese. Kjo i ka shtyrë autoritetet shëndetësore të bëjnë plan për skrining të shëndetit mendor të popullatës dhe masa konkrete për të ndihmuar qytetarët.