5 ide per 2026

Hoxhë Halil Avdulli

Edhe pak ditë na ndajnë nga hyrja në vitin 2026. Kam 4–5 ide që do të doja t’i ndaja me ju, ide që, për hir të së vërtetës, kam dëshirë t’i zbatoj edhe vetë duke hyrë në vitin 2026. Mund t’i quajmë edhe vendime.

*Ideja e parë:*
Ekzistenca juaj nuk është rastësi. Nuk mund të ketë krijesë pa qëllim nga Zoti. Zoti i Madhëruar secilin prej nesh e ka krijuar me një mision dhe një qëllim në këtë botë. Ekzistenca juaj është unike dhe ka një qëllim të thellë. Prandaj mos dyshoni dhe mos jetoni kot, por jetoni me qëllim dhe përpiquni të realizoni diçka në këtë jetë, sepse Zoti i Madhëruar nuk ju ka krijuar pa arsye.

*Ideja e dytë:*
Sa më pak varësi. Mos krijoni varësi të tepruar nga asgjë në këtë jetë, madje as nga njerëzit. Sa më shumë varësi të kemi, aq më shumë robërohemi. Pyetja është: vlera dhe kënaqësia jonë, a burojnë nga brenda apo nga jashtë?

Nëse mendoni se vijnë nga jashtë, është mirë ta rishikoni këtë bindje. Sepse kënaqësia, lumturia dhe gjithçka e bukur në jetë burojnë nga brendësia, nga ndërgjegjja. Prandaj, është e rëndësishme ta pranojmë se vlerësimi ynë vjen nga dashuria dhe respekti që kemi për veten tonë, e jo nga mënyra se si na shohin të tjerët.

*Ideja e tretë:*
Rindërtoni marrëdhënien tuaj me Zotin përmes vetëdijes. Le të jetë vetëdija baza themelore e raportit tonë me Zotin. Në vend që ta shohim Zotin vetëm përmes frikës dhe detyrimit, të fillojmë ta shohim Atë si burim mëshire, dashurie, motivimi dhe energjie. Le të na ndihmojë lidhja me Zotin ta pranojmë veten ashtu siç jemi.

*Ideja e katërt:*
Falja i përket së kaluarës. Çdo moment që ndihemi të zhgënjyer ose kur e kuptojmë se i kemi bërë padrejtësi vetes, duhet ta dimë se ajo është e kaluar. Nga e kaluara duhet të marrim mësimin, jo barrën. Thjesht duhet të fillojmë nga e para. Në parimin fetar kjo quhet pendim: ajo që ka kaluar, Zoti e fal, ndërsa ajo që vjen, kërkon vendim dhe ndryshim.

*Ideja e pestë:*
Një pjesë të energjisë ruajeni gjithmonë për vetëzhvillim. Është e vërtetë që kemi njerëz të afërt dhe duhet të investojmë energji për ta, por gjithmonë duhet të kemi një rezervë energjie për shpirtin dhe veten tonë. Teoria e qiririt nuk është gjithmonë e saktë, sepse kur e djeg veten për t’u bërë dritë për të tjerët, një ditë do të shteresh dhe do të fikesh.

Prandaj është e rëndësishme të kemi gjithmonë një burim që nuk shteron, sepse në momentin që ti shteresh, nuk mund t’u shërbesh as të tjerëve. Për këtë arsye, duhet të punojmë vazhdimisht në aftësitë tona, në shëndetin mendor dhe fizik, jo vetëm për hir të vetes, por edhe për hir të njerëzve që kemi përreth dhe që presin shumë nga ne.

I lutem Zotit që të kemi një vit të mbarë, një vit të mirë, me shumë suksese dhe shumë arritje.

Hoxhë Halil Avdulli