Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 501 mln $ dëmshpërblim për torturën dhe vdekjen e studentit amerikan

501 mln $ dëmshpërblim për torturën dhe vdekjen e studentit amerikan

Një gjykatë amerikane kërkon përgjegjësi nga Pheniani për studentin.

Një gjykatë amerikane ka urdhëruar Phenianin, që të paguajë 501 milionë dollarë dëmshpërblim për torturën dhe vdekjen e studentit amerikan, Otto Warmbier, raporton KTV, shkruan koha.net.

Studenti kishte vdekur, pasi që në vitin 2017, u lirua nga një burg veri-korean. Prindërit e tij kanë paditur Korenë Veriore në prill, shkaku i vdekjes së të birit të tyre.

Studenti 22 –vjeçar vdiq në SHBA, derisa nga Pheniani erdhi në komë. Sipas mjekut ligjor, shkaku i vdekjes së tij ishte mungesa e oksigjenit dhe gjakut në tru.

“Koreja Veriore është përgjegjëse për torturën, pengmarrjen dhe vrasjen e jashtëligjshme të Otto Warmbier, e cila u shkaktoi plagë prindërve të tij”, është thënë në gjykatë. Pheniani në anën tjetër, ka mohuar se ka gisht në vdekjen e studentit.

Vendimi i gjykatës u mor në kohë të ndjeshme në raportet diplomatike mes SHBA-së e Koresë Veriore, derisa palët po diskutojnë rreth çarmatimit bërthamor të gadishullit.