58 vjet burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, u ka shqiptuar gjithsej 58 vjet burgim të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi.

Për shtytje në vrasje, gjykata e ka shpallur fajtor të akuzuarin Ramadan Gashi, duke e dënuar me burgimi prej 25 vjetësh, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me 1 vit burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 25 vjetësh burgim.

I akuzuari Vesel Gjinovci, për veprën penale “vrasje e rëndë”, është dënuar me 9 vjet burgim, ndërsa me 1 vit burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, gjykata ndaj tij, ka shqiptuar dënimin unik prej 9 vjetësh heqje lirie.

I akuzuari Kujtim Beqi, është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasje e rëndë.

Gjykata po ashtu për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes e ka dënuar të akuzuarin Vesel Bunjaku, me burgim prej 7 vjetësh, kurse për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me burgim prej 1 viti. Bunjaku nga gjykata është dënuar me dënim unik prej 7 vjetësh e 6 muaj burgim.

Për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes nga gjykata me 4 vjet burgim është dënuar edhe i akuzuari Adonis Gashi.

Gjykata për të akuzuarin Robert Gashi e ka bërë rikualifikimin e veprës panele, ku nga dhënia e ndihmës siç ishte akuzuar, në moslajmërimi i veprës penale dhe kryerësve të saj, ku është dënuar me 3 vjet burgim.

Agron Gashi, dhe Muja Gashi, nga gjykata janë liruar nga vepra penale shtytje në vrasje të rëndë, pasi që sipas trupit gjykues, prokuroria nuk ka arritur të provojë me prova se të akuzuarit janë fajtorë.

Gjykata ka marr aktvendim të veçantë që tu vazhdohet paraburgimi Ramadan Gashit, Vesel Gjinovcit dhe Kujtim Beiqit, deri në plotfuqishmerin e aktgjykimit.

Në fjalën përfundimtare në këtë rast, prokurori Armend Hamiti, kishte deklaruar se të akuzuarit Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi ngarkohen me veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Hamiti, kishte deklaruar se prokuroria tani për dhënie të ndihmës në kryerjen e vrasjes, i akuzon Vesel Bunjakun, Adonis Gashin dhe Robert Gashin.

Ndërsa, sipas tij, për shtytje në vrasje, akuzohen Ramadan Gashi, Muja Gashi dhe Agron Gashi.

Prokurori në gjykatore kishte deklaruar se motivi i kësaj vrasje kishe qenë kontesti pronësor në mes të dy familjeve.

Ndryshe, në seancën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar, ishte paraparë të shpallej aktgjykimi në këtë rast, mirëpo gjykata kishte vendosur që ta rihap gjykimin.

Arsyet e rihapjes së këtij gjykimi, sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Selimaj, ishin se në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Vesel Gjinovci, i cili qysh në fazën hetimore e kishte pranuar fajësinë, janë përmendur disa elemente që sipas saj, duhej të sqaroheshin.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në vitin 2015, shumica prej tyre familjarë të të ndjerit Shemsi Gashi, lidhur me vrasjen e këtij të fundit.

Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi akuzoheshin nga prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Gjinovci e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar dhe i kishte kërkuar falje familjarëve të të ndjerit, ndërsa në fillim të muajit shkurt të këtij viti, trupi gjykues kishte vendosur që të bëjë revokimin e vendimit për pranimin e fajësisë, ku i është mundësuar edhe dhënia e mbrojtjes të akuzuarit para trupit gjykues.

Sipas prokurorisë, arsyeja që kishte çuar deri te kjo vrasje ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit, konkretisht për një parcelë, pronësore prej 40 ari, në “Lagjen e Spitalit”, në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku kishin shkuar në Brezovicë, ku kishin planifikuar vrasjen e rreshterit Gashi.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Vesel Gjinovci e kishte njoftuar Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin, ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i kishte premtuar si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e lagjes “Mati”, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nëpër të cilën udhëtonte ai.