62 vite burgim të akuzuarve për dhunimin e 11 vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 62 vite burgim të akuzuarit për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R, G.S dhe E.S, sipas gjykatës kanë marrë pjesë në veprën penale

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, i akuzuari G.S është liruar nga kjo vepër.

“I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”.

“Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit.Të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore. Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtin”, thuhet tutje në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të moshës madhore, si të dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor.