Ballina Sport Futboll Kosova me rritjen më të madhe të pikëve në ranglistën e re...

Kosova me rritjen më të madhe të pikëve në ranglistën e re të FIFA-s

Dy fitoret ndaj Bullgarisë dhe ato ndaj Gjibraltarit e Kroacisë, kanë bërë që përfaqësuesja e Kosovës në futboll të ketë rritjen më të madhe të pikëve në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset e futbollisteve.

FIFA të martën ka publikuar ranglistën e re për përfaqësueset e futbollisteve, ndërsa rritja prej 58,33 pikëve është më e madhja e ndonjë përfaqësueseje që nga publikimi i kaluar më 11 dhjetor 2025.

Muajin e kaluar, Kosova fitoi ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, ndërsa javën e kaluar e mposhti në dy ndeshje Bullgarinë. Të gjitha këto sfida i takojnë kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Kosova tani është e 81-ta, ndërsa ka avancuar për plot 11 pozita në renditje. Kjo po ashtu është pozita më e mirë që Kosova e ka pasur ndonjëherë në ranglistën e FIFA-s.

Në mars të vitit 2024, Kosva e kishte pozitën më të mirë deri më tani, atë 91. Më së ulti ishte në pozitën e 126-të, ndërsa pozita mesatare e Kosovës është 108.

Shqipëria është në pozitën e 71-të, ndërsa nuk ka lëvizur përkundër humbjeve të fundit.

Kroacia, të cilën Kosova e mposhti 1:0 në Karlovc dhe me të cilën përballet në qershor në Prishtinë, ka rënë për pesë pozita dhe tani është e 66-ta.

E para në ranglistë është Spanja, e përcjellë nga SHBA-ja, Anglia, Gjermania dhe Japonia. Dhjetëshen e parë e kompletojnë Brazilia, Franca, Suedia, Kanadaja dhe Holanda.

Te futbollistët Kosova është e 78-ta në ranglistën e FIFA-s, që po ashtu është pozita më e mirë ndonjëherë.

Futbollistet e Kosovës janë në vendin e parë në grupin e Ligës C të kualifikimeve për Kupën e Botës. Prej Ligës C kualifikimi direkt në Botëror nuk është i mundur. Por vendi i parë në grup siguron plejofin kualifikues për Botëror, e po ashtu avancimin në Ligën B për kampanjën e ardhshme.

Në futbollin e femrave, kualifikimet janë të organizuara në liga, përkatësisht nivele, njëjtë si në Ligën e Kombeve. Kosova, e drejtuar nga Sami Sermaxhaj, është në pozitë të mirë për ta siguruar kalimin në Ligën B. Në nivelin e dytë, përkatësisht në B, ishte edhe një herë në të kaluarën.