Mbrojtësi Antonio Rudiger nuk do të largohet nga Real Madridi në fund të sezonit aktual kur i skadon kontrata me ekipin nga “Santiago Bernabeu”.
Mediumet spanjolle kanë njoftuar të hënën se Rudiger ka arritur marrëveshje në parim për ta rinovuar kontratën me klubin mbretëror.
Ai do të firmos kontratë njëvjeçare dhe do të jetë pjesë e Real Madridit edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa gjithçka pritet të bëhet zyrtare brenda kjëtij muaji.
Mësohet se forma e Rudigerit ka bindur drejtuesit e Realit ta mbajnë gjermanin 33-vjeçar të paktën edhe për një vit përkundër që ka vetëm 21 paraqitje në të gjitha garat.
Ai u transferua te Reali në vitin 2022 si lojtar i lirë dhe me fanellën e klubit nga Madridi, Rudiger ka fituar tetë trofe, përfshirë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, mbrojtësi tjetër i Realit, David Alaba do të largohet në verë si lojtar i lirë pasi atij nuk i është ofruar rinovimi i kontratës.








