Ballina Lajmet Kosovë Maqedonci në Gjermani: Bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, prioriteti i ri i...

Maqedonci në Gjermani: Bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, prioriteti i ri i Kosovës dhe Gjermanisë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Nils Schmid, gjatë vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë.

Në këtë takim, Maqedonci theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar lart mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për kontribuimin e saj të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it.

Gjithashtu, gjatë bisedimeve u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe për rritjen e ndërveprueshmërisë mes dy forcave, si dhe për zgjerimin e programeve të përbashkëta të trajnimit.

“Shpreha mirënjohjen time të thellë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për rolin konstruktiv që Gjermania ka luajtur në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe për angazhimin e saj në misionet ndërkombëtare. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë partneritetin tonë strategjik dhe të zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s,” tha Maqedonci gjatë takimit.

Ministri Maqedonci ritheksoi angazhimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe për vazhdimin e kontributit të përbashkët në misionet ndërkombëtare të sigurisë.