Një vështrim analitik dhe vlerësues mbi disa koncepte të gabuara, si dhe ndikimin e këtyre koncepteve të gabuara dhe çorientuese në realitetin tonë bashkëkohor
Së pari, duhet theksuar se bidati është një çështje me rrezik të madh; pasojat e tij janë të rënda dhe fatkeqe. Edhe sikur rreziku i tij të kufizohej vetëm në faktin se njeriu që bie në bidat bëhet objekt i sprovës nga Allahu në këtë botë dhe dëbohet Ditën e Kiametit nga Haudi i Profetit (a.s), kjo do të mjaftonte që çdo njeri i mençur ta shmangte atë.
Sa i përket ekspozimit të bidatçiut ndaj sprovës në këtë botë, Allahu i Madhëruar thotë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, se mos i godet ndonjë sprovë ose i godet një dënim i dhembshëm.”[1]
Imam Ahmedi (r.h) duke e komentuar fjalën “sprovë” (fitne) në këtë ajet, ka thënë: “A e di çfarë është sprova? Sprova është shirku. Ndoshta, nëse ai refuzon një pjesë të fjalës së tij – domethënë të fjalës së Profetit (a.s) – në zemrën e tij mund të depërtojë një devijim, e kështu të shkatërrohet.”
Prandaj, bidati përbën një kundërshtim ndaj Sheriatit, qoftë duke pretenduar plotësimin ose korrigjimin e tij, qoftë duke kundërshtuar dispozitat e tij.
Sa i përket dëbimit të bidatçiut nga Haudi Ditën e Kiametit, kjo mbështetet në hadithin autentik, për të c cilin Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, do të sillen para meje disa burra nga umeti im dhe do të largohen në anën e majtë. Atëherë unë do të them: “O Zoti im, ata janë shokët e mi!” Por do të më thuhet: “Ti nuk e di çfarë kanë shpikur pas teje.”[2]
Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me ata që do të dëbohen nga Haudi. Një grup prej tyre ka thënë se ata janë pasuesit e bidateve.
Hafiz Ibn Abdulberr en-Nemerij el-Malikij (r.h) në veprën e tij “El-Istidhkar” ka thënë: “Çdokush që shpik diçka në fe është prej atyre që do të dëbohen Ditën e Kiametit, nga radhët e pasuesve të bidateve dhe të epsheve.”
Megjithatë, njerëzit kanë rënë në mospajtime dhe paqartësi në lidhje me kuptimin e bidatit, ashtu siç kanë rënë edhe në mospajtime për kuptimin e Sunetit. Në këtë çështje kanë ndikuar në masë të madhe edhe prirjet dhe pasionet personale. Për këtë ka bërë fjalë edhe Shejhul Islami Ibn Tejmije (r.h)– në veprën e tij “El-Istikame”, pasi shpjegon kuptimin dhe realitetin e bidatit. Ai thotë: “Në të vërtetë, në këtë temë njerëzit kanë rënë në një çrregullim të madh, si në çështjet themelore ashtu edhe në ato dytësore. Çdo grup pretendon se rruga e tij është Suneti, ndërsa rruga e kundërshtarëve është bidati. Pastaj e gjykon kundërshtarin me gjykimin që u bëhet pasuesve të bidatit. Si pasojë e kësaj lind një e keqe, madhësinë e së cilës nuk e di askush tjetër përveç Allahut. Të parët që devijuan në këtë drejtim ishin havarixhët, të cilët dolën nga feja. Ata e konsideruan veten si mbajtësit e vërtetë të Librit të Allahut dhe të Sunetit të Tij, ndërsa Aliun, Muavijen dhe të dy ushtritë i konsideruan si njerëz të mëkatit dhe të bidatit. Për këtë arsye, ata e bënë të lejuar atë që e bënë të lejuar ndaj myslimanëve.”
Njerëzit, për sa i përket kuptimit dhe realitetit të bidatit, ndahen në dy skaje dhe një rrugë të mesme:
I pari: ekstremistët që e teprojnë. Këta janë njerëz që e kanë zgjeruar tej mase konceptin e bidatit dhe e kanë ngushtuar konceptin e Sunetit. Madje, disa prej tyre, nga padituria ose duke ndjekur prirjet e tyre, arrijnë të cilësojnë edhe një praktikë sunetore si bidat. Disa prej tyre nuk e konsiderojnë njeriun si pasues të vërtetë të Sunetit dhe të metodologjisë selefite, përveç nëse ai e zgjeron konceptin e bidatit dhe e përdor shpesh këtë cilësim ndaj mendimeve dhe veprimeve të ndryshme.
I dyti: ekstremistët e neglizhencës. Këta janë më afër murxhiave; madje, ata janë ajo kategori që selefët e kanë quajtur “mukhannethët e murxhiave”, i kanë qortuar ashpër dhe kanë shkruar vepra të veçanta për t’i kundërshtuar. Këta njerëz e kanë ngushtuar konceptin e bidatit dhe e kanë zgjeruar konceptin e Sunetit. Madje, disa prej tyre, nga padituria dhe ndjekja e pasioneve, e përshkruajnë një bidat të qartë si një Sunet të pëlqyeshëm. Ata kanë një lloj fobie ndaj fjalës “bidat” dhe e urrejnë përdorimin e saj. Sikur të kishin mundësi ta “vrisnin” këtë term dhe ta varrosnin nën dhe, në mënyrë që të harrohej në librat e dijetarëve, do ta bënin. Por, ajo që ata urrejnë nuk mund të zhduket kurrë.
Shkaku i rrëshqitjes së të dyja këtyre grupeve është padija mbi dallimet e holla ndërmjet bidatit dhe disa koncepteve të pranuara në Sheriat dhe në metodologjinë e jurisprudencës islame, si interesat e papërcaktuara (maslaha el mursele) dhe analogjia përjashtimore (istihsani).
Ndërmjet interesave të papërcaktuara dhe bidatit ekziston një element i përbashkët: asnjëri prej tyre nuk mbështetet në një argument të posaçëm. Megjithatë, mes tyre ka shumë dallime, të cilat i ka sqaruar me hollësi Imam Shatibiu (r.h) në veprën e tij të çmuar “El I’tisam”
Prandaj, kush është prej atyre që e teprojnë në shpalljen e njerëzve ose veprave si bidat dhe nuk i njeh këto dallime të imta ndërmjet interesave të papërcaktuara dhe bidatit, do të gjykojë si bidate shumë çështje dhe praktika që në të vërtetë janë legjitimuar mbi bazën e interesave të papërcaktuara ose të istihsanit.
Nga ana tjetër, kush është prej ekstremistëve të murxhiave dhe i përket grupit të neglizhencës në trajtimin e bidatit, duke mos i njohur këto dallime të holla ndërmjet interesave të papërcaktuara, istihsanit dhe bidatit, do t’i cilësojë disa çështje e praktika si pjesë të Sunetit dhe do t’u mohojë atyre cilësinë e bidatit dhe të shpikjes në fe.
Imam Shatibiu (r.h) në veprën e tij të çmuar “El I’tisam” duke folur për këtë grup dhe për burimin e gabimit e të ngatërrimit të tyre, thotë: “Shumë njerëz i kanë konsideruar shumicën e rasteve të interesave të papërcaktuara si bidate, ua kanë atribuar ato sahabëve dhe tabiinëve dhe i kanë marrë si argument për të justifikuar shpikjen e formave të reja të adhurimit… Ndërkohë që interesat e papërcaktuara nuk janë bidate, as në thelb e as në praktikë.”
Një tjetër shkak i rrëshqitjes së të dyja këtyre grupeve mund të jetë edhe mospërdorimi i metodës së induksionit(istikrâ’) dhe njohja e pamjaftueshme e teksteve të Kuranit, të Sunetit, si edhe e transmetimeve nga sahabët e nderuar dhe tabiinët, pjesëtarët e brezave për të cilët është dëshmuar se janë më të mirët.
Kush ka njohuri të kufizuara në këtë fushë, mund të arrijë të justifikojë një bidat dhe ta gjykojë atë si Sunet, ndonëse ekzistojnë transmetime autentike që dëshmojnë se ai është bidat. Ose, përkundrazi, mund ta shpallë një praktikë sunetore si bidat, megjithëse ka transmetime autentike që vërtetojnë se ajo është Sunet. Shtjellimi i hollësishëm i kësaj çështjeje do të kërkonte një trajtim të gjatë.
Në të vërtetë, shumica e përkufizimeve të bidatit që janë përmendur nga dijetarët nuk janë pa vërejtje, paqartësi ose nevojë për plotësim. Ato nuk i përmbushin plotësisht kushtet e një përkufizimi gjithëpërfshirës dhe përjashtues, pra nuk e pengojnë hyrjen në të të asaj që nuk i përket dhe as nuk e pengojnë daljen prej tij të asaj që duhet të përfshihet. Për këtë arsye, ato janë më tepër të paqarta sesa të qarta.
Një prej përkufizimeve më të afërta dhe më të detajuara është që bidati të përkufizohet si: “Ajo që është shpikur në fe dhe që nuk bën pjesë në kategorinë e interesave të papërcaktuara.”
Ky përkufizim ua mbyll derën ekstremistëve dhe pengon ngatërrimin ndërmjet bidatit dhe interesave të papërcaktuara.
Tani, le të vijmë dhe të flasim për temën tonë: A është bidati më i keq se mëkati? A është ai më i keq se zinaja, vrasja, vjedhja, ngrënia e pasurisë së njerëzve padrejtësisht dhe mëkate të tjera të ndaluara, për të cilat ka tekste të qarta dhe që njihen domosdoshmërisht si pjesë e fesë?
A është bidatçiu më i keq se mëkatari që kryen mëkate të mëdha dhe vepra të ndaluara, si pirja e alkoolit, përdorimi i drogës, kryerja e zinasë dhe ngrënia e kamatës?
Është transmetuar nga imam Sufjan Theurij (r.h) se ka thënë: “Bidati është më i dashur për Iblisin sesa mëkati, sepse nga bidati nuk bëhet pendim, ndërsa nga mëkati bëhet pendim.”
Kjo thënie, e atribuar Sufjan Theuriut, është transmetuar dhe i është atribuar atij nga një grup dijetarësh. Këtë thënie e kanë transmetuar Ebu Nuajm el Isfahani (r.h) në librin e tij “Hiljetul-Evlija ue Tabekâtul Asfija” Imam El Begavi (r.h) në veprën “Sherh es-Sune” Shejhul Islam Ibn Tejmije në “Mexhmu’ul-Fetava”, si dhe Imam Xhelaludin Sujuti (r.h) në librin e tij “Hakikatu es-Sune uel-Bid’a.”
Disa njerëz të paditur mund të mendojnë se kjo thënie është hadith, por nuk është kështu; ajo është thjesht një thënie e Sufjan Theuriut (r.h).
Kjo thënie e Sufjan Theuriut mbështetet edhe nga fjala e tabiinit të nderuar Habib ibn Ebi Thabit el-Kureshij (r.h). Nuk përjashtohet që SufjanTheurij ta ketë marrë këtë kuptim prej tij, sepse Habib ibn Ebi Thabiti ishte një prej mësuesve të tij; ai ka marrë dije prej tij dhe ka transmetuar prej tij. Habib ibn Ebi Thabiti ishte prej tabiinëve të mëdhenj dhe ka vdekur në vitin 122 hixhri.
Ibn Uedah (r.h) ka transmetuar me zinxhirin e tij në librin “El-Bide’” nga Ebu Bekr ibn Ajjashi se ai e ka dëgjuar Habib ibn Ebi Thabitin duke thënë për një djalosh që ishte i prishur moralisht dhe i shthurur, luftonte me njerëzit dhe pinte alkool, por më pas u pendua nga kjo, përqafoi shiizmin dhe u bë prej ekstremistëve të shiizmit: “Ajo që ishe atëherë, kur luftoje dhe bëje ato që bëje, ishte më e mirë për ty sesa ajo që je sot!” Kuptimi i kësaj është se gjendja e tij kur ishte mëkatar, luftonte me njerëzit, pinte alkool dhe kryente mëkate, ishte më e mirë sesa gjendja e tij pas përqafimit të shiizmit dhe teprimit në të.
Kjo sepse ekstremistët e shiizmit kanë ndër bindjet e tyre ide të natyrës së mosbesimit, të cilat e bëjnë gjendjen e një myslimani mëkatar më të mirë se gjendjen e tyre. Arsyeja është se ata i konsiderojnë ato bindje të gabuara si vepra të mira dhe mendojnë se me to po veprojnë drejt, prandaj nuk pendohen prej tyre. Ndërsa myslimani mëkatar e pranon mëkatin e tij dhe pendohet prej tij.
Po ashtu, Ebu Nuajm el-Isfahani në librin e tij “Hiljetul Evlija”, dhe Bejhakiu në veprën e tij “Menâkib esh-Shafi’I”, kanë transmetuar nga Rebi ibn Sulejman se ai ka thënë: “E dëgjova Shafiun duke thënë: “Që robi ta takojë Allahun me çdo mëkat, përveç shirkut ndaj Allahut, është më mirë sesa ta takojë Atë me diçka prej epsheve (prirjeve të devijuara)!” Në një transmetim tjetër thuhet: “… sesa ta takojë Atë me diçka prej këtyre epsheve (prirjeve devijuese).” Imam Shafiu e ka thënë këtë në kontekstin e kundërshtimit të bidatit të kaderive.
Disa dijetarë – ndër ta edhe Shejhul-Islam Ibn Tejmije në veprën e tij “Mexhmu’ul-Fetava” – kanë nxjerrë nga disa qëndrime të Sheriatit një përfundim që tregon se bidati ka dëm më të madh sesa mëkati. Ata janë bazuar në faktin se Profeti (a.s) ka urdhëruar që havarixhët duhet të luftohen – të cilët ishin bidatçinj dhe kryengritës – duke thënë: “Kur t’i takoni ata, vritini me një vrasje si ajo e fisit Ad!”
Ndërsa ai ndaloi luftimin e udhëheqësve të padrejtë – edhe pse padrejtësia është prishje morale dhe mëkat. Nga kjo, ata kanë kuptuar se bidati është më i dëmshëm se mëkati dhe se bidatçiu është më i dëmshëm për umetin sesa mëkatari.
Kështu e kanë nxjerrë këtë përfundim. Megjithatë, ky përfundim nuk është pa vërejtje. Urdhri për të luftuar havarixhët nuk ishte vetëm për shkak se ata ishin bidatçinj, por edhe për shkak të rrezikut të madh që paraqisnin për stabilitetin e shtetit dhe për shkak se e bënin të lejuar derdhjen e gjakut të myslimanëve, të jomyslimanëve me marrëveshje dhe të atyre që nuk pajtoheshin me ta në çështjet themelore dhe dytësore.
Sikur shkaku i luftimit dhe vrasjes së tyre të ishte vetëm bidati i tyre, atëherë në këtë shkak do të përfshihej çdo bidatçi tjetër dhe do të urdhërohej luftimi e vrasja e çdo kundërshtari të Sunetit, por çështja nuk është kështu.
Ndërsa ndalimi i luftimit të udhëheqësve të padrejtë nuk ishte për shkak se mëkatet e tyre ishin të vogla ose sepse dëmi i tyre ishte më i vogël sesa ai i bidatit, por për arsye të tjera, që lidhen me ruajtjen e sigurisë, parandalimin e kaosit, përhapjes së trazirave dhe çrregullimit, sepse mungesa e një autoriteti që i frenon njerëzit mund të çojë në pasoja më të mëdha.
Madje, disa mëkatarë luftohen dhe vriten nëse trazirat dhe dëmi i tyre ndaj shoqërisë nuk mund të pengohen ndryshe përveçse me këtë mënyrë. Kjo është një çështje e përcaktuar në librat e juristëve.
Për më tepër, disa prej udhëheqësve të padrejtë mund të jenë edhe bidatçinj. Çdo udhëheqës që ndryshon Sheriatin, e shtrembëron atë ose e pezullon zbatimin e tij, është një shpikës i bidatit, siç e ka theksuar edhe hafizi Ibn Abdulberr el Maliki (r.h) në librin e tij “El-Istidhkâr”.
Megjithatë, edhe nëse ai është bidatçi, ai nuk luftohet dhe nuk lejohet dalja kundër tij me kryengritje. Prandaj, sikur të ishte i saktë ky përfundim që ka nxjerrë Ibn Tejmije dhe e kanë ndjekur disa pas tij, atëherë ata do të duhej të thoshin se duhet të luftohen edhe udhëheqësit bidatçinj. Por ata nuk e thonë këtë.
Kështu bëhet e qartë se ky përfundim i tyre nuk mbështetet në një bazë të fortë.
Po, pasi e kemi sqaruar këtë çështje, lind pyetja:
A është vërtet bidati më i rëndë se mëkati? Dhe a është bidatçiu më i dëmshëm për umetin sesa mëkatari?
Them: vlerësimi krahasues ndërmjet bidatit dhe mëkatit nuk mund të bëhet duke i shkëputur ato nga marrja në konsideratë e rrethanave, pasojave, dobive dhe dëmeve.
Po, marrëdhënia ndërmjet bidatit dhe mëkatit është një marrëdhënie përgjithësie dhe veçantie absolute: çdo bidat është mëkat, por jo çdo mëkat është bidat. Për shembull, ngrënia e kamatës dhe kryerja e zinasë janë mëkate, por nuk janë bidate. Ndërsa bidatet në çështjet e bindjeve dhe veprave, si bidati i havarixhëve, xhehmive, murxhiave dhe shiitëve rafidij, janë njëkohësisht bidate dhe mëkate.
Lloji i bidatit në përgjithësi është më i madh dhe më i rrezikshëm sesa lloji i mëkatit në përgjithësi. Për këtë arsye, SufjanTheurij ka thënë: “ Bidati nuk bëhet pendim, ndërsa nga mëkati bëhet pendim.”
Ibn Tejmije e ka shpjeguar këtë thënie në librin e tij “Mexhmu’ul-Fetava”, ku thotë: “Kuptimi i fjalës së tyre se “nga bidati nuk bëhet pendim” është se bidatçiu, i cili merr për fe diçka që Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e kanë ligjëruar, i është zbukuruar vepra e tij e keqe dhe ai e sheh atë si të mirë. Prandaj ai nuk pendohet për sa kohë që e konsideron atë të mirë. Sepse fillimi i pendimit është dija se vepra e tij është e keqe, në mënyrë që të pendohet prej saj; ose dija se ka lënë një vepër të mirë, të cilën e ka pasur urdhër ta kryejë, qoftë si detyrim apo si vepër të pëlqyeshme, në mënyrë që të pendohet dhe ta kryejë atë. Për sa kohë që ai e sheh veprën e tij si të mirë, ndërkohë që ajo në realitet është e keqe, ai nuk pendohet.”
Megjithatë, fakti që lloji i bidatit në përgjithësi është më i madh dhe më i rrezikshëm, nuk do të thotë domosdoshmërisht se çdo lloj bidati është më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm sesa çdo lloj mëkati. Disa mëkate mund të jenë më të dëmshme sesa disa bidate. Bidatet kanë shkallë të ndryshme, ashtu siç kanë shkallë të ndryshme edhe mëkatet; dhe po ashtu edhe Suneti ka nivele të ndryshme.
Gjithashtu, bidati ndahet në bidat që nxjerr nga feja dhe bidat që nuk nxjerr nga feja, dhe secili prej tyre ka dispozita të veçanta. Kush nuk bën dallimin ndërmjet këtyre kategorive, i ngatërron çështjet, gabon në gjykim dhe përzihet në çështje pa i kuptuar siç duhet.
Për më tepër, kjo thënie e atribuar Sufjan Theuriut, se “bidati është më i dashur për Iblisin sesa mëkati”, e cila mbështetet edhe nga fjala e disa dijetarëve para tij, si mësuesi i tij Habib ibn Ebi Thabiti, dhe është përkrahur nga disa dijetarë pas tij, si Shafiu dhe Ibn Tejmije, nuk është e drejtë të merret në këtë formë, e shkëputur nga konteksti në të cilin është thënë.
Sepse mosmarrja parasysh e kontekstit të fjalëve të njerëzve dhe dijetarëve është një prej shkaqeve të gabimit në kuptimin e thënieve të tyre. Gjithashtu, kjo është një prej shkaqeve të devijimit në transmetimin e fjalëve të dijetarëve dhe në kuptimin e asaj që është transmetuar prej tyre.
Selefët e hershëm dhe imamët e mëparshëm kanë përdorur disa shprehje të forta, si shpallje kufri, shpallje bidati apo të tjera të ngjashme, por ata i kanë thënë ato në një kontekst të caktuar dhe nuk lejohet që fjalët e tyre të shkëputen nga ai kontekst.
Marrja e shprehjeve të përgjithshme të imamëve pa njohur rrethanat dhe kontekstet e tyre çon në përqafimin e mendimeve me rrezik shumë të madh. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj atyre imamëve të nderuar, njerëzve të mirësisë dhe bamirësisë, si dhe prijësve të të devotshmëve.
Shejhul Islam Ibn Tejmije ka tërhequr vëmendjen ndaj këtij devijimi që ndodh në kuptimin e fjalëve të dijetarëve. Ai thotë – duke e përmbledhur – në librin e tij “Mexhmu’ul-Fetava”: “Pasuesit e devijuar të imamëve në çështjet e bazave dhe degëve të fesë kanë disa lloje devijimesh:
… Lloji i tretë: Është një thënie që e ka thënë një imam dhe pastaj i është shtuar asaj diçka më shumë në sasi ose në lloj. Për shembull, ai mund të ketë shpallur si jobesimtarë një kategori të caktuar prej pasuesve të bidateve, siç janë xhehmitë, dhe pastaj kjo të zgjerohet duke I konsideruar të gjitha bidatet një kategori të vetme, në mënyrë që në të të përfshihen edhe murxhiat dhe kaderitë.
Ose, ai mund të ketë kritikuar pasuesit e mendimit juridik (ehlu er-ra’j) për shkak të kundërshtimit të hadithit dhe për shkak të prirjeve të tyre murxhite, dhe pastaj kjo të zgjerohet deri në shpallje kufri dhe mallkim ndaj tyre.
Ose, ai mund të ketë refuzuar dëshminë dhe transmetimin e një predikuesi të një bidati të rëndë, ndërsa ta ketë pranuar atë të një personi që nuk thërret në atë bidat, dhe pastaj kjo të kuptohet sikur ai i refuzon në mënyrë absolute të gjitha transmetimet e tyre, megjithëse tekstet e tij të qarta tregojnë të kundërtën.
Gjithashtu, si shembulli i atyre që, duke u nisur nga disa fjalë të imamëve rreth cilësive të Allahut, kanë shkuar më tej në drejtim të ngjasimit të Allahut me krijesat (teshbih).
Lloji i katërt: Është që nga fjalët e tij të kuptohet diçka që ai nuk e ka pasur për qëllim, ose t’i atribuohet atij diçka që ai nuk e ka thënë.
Lloji i pestë: Është që një thënie e tij të konsiderohet e përgjithshme ose absolute, ndërkohë që në të vërtetë nuk është e tillë.
Pastaj, ndonjëherë një shprehje mund të ketë vërtet një kuptim të përgjithshëm ose absolut dhe ata mund të kenë njëfarë justifikimi për këtë kuptim, ndërsa ndonjëherë nuk ka një kuptim të tillë.
Për shembull, kur ai thotë në mënyrë të përgjithshme se xhehmitë janë jobesimtarë, kjo në të vërtetë është e lidhur me disa kushte, të cilat nuk gjendeshin tek ata për të cilët ai u lut për mëshirë, edhe pse ata ishin prej prijësve të xhehmive, siç ishin ata që e sprovuan atë.”
Ky tekst i Ibn Tejmijes thekson një parim të rëndësishëm metodologjik: Fjalët e dijetarëve nuk duhet të merren të shkëputura nga konteksti, kushtet dhe qëllimet e tyre, sepse zgjerimi i tyre përtej asaj që ata kanë synuar mund të çojë në gjykime të gabuara dhe në qëndrime ekstreme.
Lloji i tretë, i katërt dhe i pestë që përmendi Ibn Tejmije janë prej atyre llojeve në të cilat kanë gabuar shumë njerëz, veçanërisht prej të mëvonshmëve dhe bashkëkohorëve. Kështu, sheh disa prej tyre që gjykojnë me kufër, bidat ose braktisje (hexhr) ndaj një grupi të caktuar, pastaj e mbështesin shpalljen e tij si jobesimtar, bidatçi ose të merituar për braktisje duke u bazuar në fjalën e njërit prej imamëve të myslimanëve.
Ndërkohë që ky imam mund ta ketë thënë atë që ka thënë në një kontekst të veçantë, në një rrethanë të veçantë dhe për një person të veçantë. Me një shprehje tjetër: ky është një gjykim që i përket kategorisë së çështjeve individuale, ndërsa çështjet individuale nuk kanë karakter të përgjithshëm, siç është përcaktuar në metodologjinë e shkencës së Usul el-fikhut.
Ajo që më duket mua – dhe Allahu e di më së miri – është se ajo që ka thënë Sufjan Theurij dhe ata që e kanë ndjekur atë, është thënë në një kontekst të veçantë dhe për një bidat të veçantë, dhe nuk mund të zbatohet mbi çdo lloj bidati.
Imam Bejhakiu në librin e tij “Menâkib esh-Shafi’I” ka bërë me dije se ajo që ka thënë Shafiu është thënë në kontekstin e kundërshtimit të bidatit të mohuesve të kaderit (kaderive). Ky bidat ishte një bidat i rëndë, sepse mohonte një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të teksteve të Kuranit dhe Sunetit.
Edhe Shejhul Islam Ibn Tejmije është prej atyre që e kanë ndjekur Sufjan Theuriun në këtë thënie. Madje, ai e ka shprehur qartë në “Mexhmu’ul-Fetava”, në debatin e tij me një grup prej Rifa’itë, të cilët kishin një bidat që arrinte deri në kufër, pasi ata thonin se myslimanët mëkatarë që kryejnë zina janë në gjendje më të mirë sesa ata. Ja teksti i Ibn Tejmijes:
“Disa prej tyre kishin thënë: Ne i bëjmë njerëzit të pendohen. Atëherë u thashë: Nga çfarë i bëni ata të pendohen? Ata thanë: Nga grabitja e rrugëve, vjedhja dhe të ngjashme me këto. U thashë: Gjendja e tyre para se t’i bënit të pendoheshin ishte më e mirë sesa gjendja e tyre pas kësaj. Sepse ata ishin mëkatarë, por besonin se ajo që bënin ishte e ndaluar, shpresonin në mëshirën e Allahut, pendoheshin tek Ai ose kishin synim të pendoheshin. Ndërsa ju, përmes këtij “pendimi” që u imponuat, i bëtë ata të devijuar, idhujtarë dhe jashtë Sheriatit të Islamit; njerëz që duan atë që Allahu e urren dhe urrejnë atë që Allahu e do. Kështu që unë u sqarova atyre se këto bidate, në të cilat ata dhe të tjerë janë zhytur, janë më të këqija sesa mëkatet.”
Ky pasazh tregon se kritika ndaj bidatit te këta imamë lidhej veçanërisht me bidatet që përmbanin prishje të besimit dhe shtrembërim të bazave të fesë, dhe jo me një barazim të pakushtëzuar të çdo bidati me çdo mëkat.
Kjo thënie e Ibn Tejmijes është thënë prej tij gjatë një debati me një grup batinijsh bidatçinj, të cilët në bidatin e tyre përqafonin shirkun e madh.
Prandaj, nuk është e drejtë që kjo thënie të zbatohet mbi çdo lloj bidati dhe as të thuhet se çdo mëkatar është më i mirë se çdo bidatçi. Sepse transmetimi i të prishurit moralisht dhe dëshmia e tij – me fjalën “i prishur” këtu kam për qëllim atë që është i prishur për shkak të veprave të tij, pa ndonjë interpretim të justifikueshëm – refuzohet. Gjithashtu, kundërshtimi i tij – nëse është dijetar muxhtehid – nuk merret në konsideratë sipas shumicës së dijetarëve të Usul el-fikhut.
Ndërsa bidatçiu me bidat që të nxjerr nga feja nuk pranohet transmetimi i tij, nuk merret në konsideratë kundërshtimi i tij dhe nuk llogaritet fjala e tij në çështjet e ixhmait. Sa i përket bidatçiut me bidat që nuk të nxjerr nga feja, mendimi më i fuqishëm është se fjala e tij merret në konsideratë, siç e kanë përmendur Safiudin el Hindi, Bedrudin ez Zerkeshi, Bermavi dhe të tjerë prej dijetarëve të usulit.
Bidati mund të jetë rezultat i një interpretimi të pranueshëm (te’uil) dhe mund të mos jetë i tillë. Nëse në një çështje të caktuar ekziston mospajtim, argumentet janë të forta nga të dyja anët dhe pikëpamjet janë të afërta, atëherë në këtë rast nuk është e drejtë të cilësohet mendimi tjetër kundërshtues si bidat dhe as ai që e mban atë mendim si bidatçi. Sepse në këtë rast çështja është prej çështjeve të ixhtihadit, dhe në çështjet e ixhtihadit nuk ka qortim të njëri-tjetrit. Ndërsa shpallja e një personi si bidatçi është një formë qortimi dhe kundërshtimi, prandaj nuk lejohet në raste të tilla.
Mësuesi ynë në fushën e usulit, Muhamed el-Xhizani – Allahu e ruajtë – ka një libër të çmuar për këtë çështje me titull: “Gjykimi i shpalljes së bidatit në çështjet e ixhtihadit”.
Sa e bukur është fjala e Imam Ebu Is’hak esh-Shatibi – Allahu e mëshiroftë – në librin e tij “El I’tisâm”: “Nuk është prej metodës së dijetarëve që ta përdorin termin ‘bidat’ për dispozitat praktike sheriatike (furu’).”
Prandaj, çështjet dhe degët juridike në të cilat dijetarët kanë pasur mospajtime dhe në të cilat argumentet janë të afërta, nuk është e drejtë të cilësohet ai që ka zgjedhur njërin prej mendimeve si bidatçi, e aq më pak të thuhet se mëkatari është më i mirë se ai.
Dijetarët e hershëm dhe të mëvonshëm kanë pasur mospajtime në shumë çështje juridike. Disa prej tyre e kanë konsideruar mendimin tjetër si bidat, ndërsa të tjerë kanë parë të kundërtën. Por asnjëri prej tyre nuk ka thënë se filani, i cili ka zgjedhur këtë mendim, është bidatçi dhe se mëkatari është më i mirë se ai.
Po, ndonjëherë një mendim mund të jetë vërtet bidat, por bidatshmëria e tij mund të mos i jetë bërë e qartë atij që e ka thënë. Në këtë rast, kjo konsiderohet justifikim për të. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë person të cilit i është bërë e qartë natyra bidat i asaj çështjeje që ta cilësojë atë si bidat, pa e fyer tjetrin dhe pa e quajtur atë vetë bidatçi.
Po ashtu, disa mendime mund të çojnë në pasoja kufri, por ai që i shpreh ato mund të mos jetë i vetëdijshëm për këto pasoja. Kjo është një arsye që pengon shpalljen e tij si jobesimtar. Për këtë arsye, Shejhul Islam Ibn Tejmije, gjatë një dialogu me një kundërshtar të tij në një çështje të akides, i ka thënë: “Sikur të thosha atë që thua ti, do të bëhesha jobesimtar.”
Kjo sepse ai e dinte se fjala e kundërshtarit përmbante një kuptim kufri, por megjithatë nuk e shpalli atë jobesimtar, sepse prej kushteve të tekfirit është: plotësimi i kushteve dhe mungesa e pengesave që e ndalojnë atë.
Disa njerëz e kanë kuptuar gabimisht thënien e Sufjan Theuriut: “Bidati është më i dashur për Iblisin sesa mëkati.” Dhe nga ky kuptim i gabuar kanë ardhur pasoja të rënda, ndër to:
E para: Disa njerëz bashkëkohorë, të cilët i atribuohen selefizmit – ndërkohë që selefizmi në shumë prej veprimeve të tyre është i pastër dhe i distancuar prej tyre si ujku nga gjaku i birit të Jakubit (a.s.) – i sheh tek ata një lloj dashamirësie dhe përkrahjeje ndaj myslimanit mëkatar, të cilën nuk e gjen në zemrat e tyre ndaj myslimanit bidatçi, edhe nëse bidati i tij është rezultat i një interpretimi të pranueshëm (te’uil).
I sheh ata se si paralajmërojnë kundër tij dhe i largojnë njerëzit prej tij, ndërsa nga gabimet e tij të pakta ndërtojnë një “kupolë” që mbush horizontet. Këta janë njerëz që kanë ikur nga drejtësia dhe janë strehuar tek padrejtësia dhe shpifja ndaj kundërshtarit. Përmendja e të mirave të kundërshtarit, sipas tyre, është një krim i pafalshëm dhe një e metë që nuk e fshin asnjë e mirë e tij, edhe sikur mirësitë e tij të arrinin majat e qiellit!
Feja e këtyre njerëzve është ndjekja e gabimeve, kërkimi i të metave dhe vënia në provë e njerëzve sipas kritereve që ata vetë i kanë shpikur në metodologjinë e tyre, për t’i peshuar njerëzit me to. Kush përputhet me peshoren e tyre është, sipas tyre, pasuesi i vërtetë i Sunetit; ndërsa kush mungon prej saj, qoftë edhe sa një grimcë, mjerë ai nga shpifjet dhe mjerë ai nga largimi i njerëzve prej tij.
Ata sikur shkruajnë në ballin e tij: “Ky person është më i dëmshëm për besimtarët sesa dëmi i njerëzve të prishur, gënjeshtarëve dhe shpifësve; ruhuni prej tij, sepse ne po ruhemi bashkë me ju!”
Madje sheh se armiqësia e këtyre njerëzve ndaj myslimanëve dhe thirrësve prej dijetarëve dhe njerëzve të besimit – të cilët kanë rënë në ndonjë bidat, edhe nëse ai është rezultat i një interpretimi të pranueshëm – është më e madhe sesa armiqësia e tyre ndaj njerëzve të kufrit, herezisë dhe hipokrizisë.
Lufta e tyre kundër myslimanëve është e ashpër; ndërsa paralajmërimet e tyre ndaj atyre që kanë rënë në ndonjë bidat – edhe nëse kanë një interpretim – marrin forma të ndryshme. Ata janë havarixh ndaj thirrësve të Sunetit, nuk respektojnë tek ata as lidhje familjare e as marrëveshje; ndërsa bëhen murxhia ndaj thirrësve të perëndimorizimit, sekularizmit dhe liberalizmit.
Sa e bukur është fjala e Shejhul Islamit Ibn Tejmijes, në librin e tij “Minhâxhu es-Sune en-Nebevijje”: “Kush i gjykon besimtarët për shkak të mëkateve të tyre, ndërsa nuk i gjykon jobesimtarët dhe hipokritët për kufrin dhe hipokrizinë e tyre; madje ndoshta i lavdëron dhe i madhëron ata, kjo tregon se ai është prej njerëzve më të mëdhenj në padije dhe padrejtësi, nëse padija dhe padrejtësia e tij nuk e çojnë deri në kufër dhe hipokrizi.”
E dyta: Nga kuptimi i gabuar i kësaj thënieje të Sufjan Theuriut ka ardhur edhe dobësimi i lidhjes së dashurisë dhe distancimit (el-uelâ ue el-berâ’) ndërmjet myslimanëve.
Betohem në Allahun se kjo është një sprovë e madhe. Sheh njerëz që në zemrat e tyre nuk kanë as sa një kokërr dashuri dhe përkrahjeje për vëllezërit e tyre në fe, të cilët kanë veprojnë një bidat që nuk i nxjerr nga feja, duke e bërë këtë përmes një interpretimi ku ekziston një bazë për shqyrtim.
Madje sheh disa prej tyre që qëndrojnë në krahun e njerëzve të kufrit të hapur, të cilët e kanë përgënjeshtruar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, kundër vëllezërve të tyre myslimanë që kanë rënë në ndonjë bidat, por që ende kanë bazën e besimit: besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, drejtohen nga kibla jonë dhe falin namazin tonë.
Edhe më e rëndë dhe më e hidhur është se disa njerëz mund të gëzohen kur njerëzit e kufrit dhe ateizmit i shkatërrojnë bidatçinjtë prej myslimanëve, duke thënë: “Bidati dhe bidatçinjtë janë më të dëmshëm për umetin sesa njerëzit e kufrit, herezisë dhe ateizmit.”
Sa e madhe është fjala që del nga gojët e tyre! Ata nuk thonë gjë tjetër veçse gënjeshtër. Allahu ka thënë të vërtetën kur thotë se: “Do të gjesh se njerëzit më armiqësorë ndaj besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët…”[3] Disa njerëz kanë ndjekur rrugën e havarixhëve dhe mutezilëve në çështjen e Sunetit dhe bidatit, duke e konsideruar Sunetin si një tërësi të vetme që nuk ndahet në pjesë; nëse humbet një pjesë e tij, atëherë humbet i tëri. Kjo është pikërisht logjika e havarixhëve dhe mutezilëve.
Sipas këtyre njerëzve, tek i njëjti person nuk mund të bashkohen njëkohësisht Suneti dhe bidati, mëkati dhe bindja. Kjo bie në kundërshtim me tekstet e Sheriatit. Për këtë arsye, i sheh ata se si distancohen nga kushdo që bie në ndonjë bidat dhe më pas e kategorizojnë dhe e kritikojnë padrejtësisht. Ata nuk i japin atij të drejtën që i takon nga dashuria dhe përkrahja fetare (uelâ), por i japin atij masën e distancimit (berâ) që meriton ose edhe më shumë sesa meriton për shkak të bidatit të tij. Kjo është padrejtësi, tejkalim dhe agresion; dhe është në kundërshtim me metodën e Ehli Sunetit, të drejtësisë, ekuilibrit dhe besimit.
Shejhul Islam Ibn Tejmije el-Harrani në librin “Mexhmu’ul-Fetava” thotë: “Duhet të dihet se besimtari meriton dashurinë dhe përkrahjen, edhe nëse të ka bërë padrejtësi dhe ka tejkaluar ndaj teje; ndërsa jobesimtari meriton armiqësi dhe distancim, edhe nëse të ka dhënë dhe të ka bërë mirë. Sepse Allahu i Lartësuar i dërgoi të dërguarit dhe zbriti librat që e gjithë feja të jetë vetëm për Allahun. Kështu, dashuria është për miqtë e Allahut, urrejtja për armiqtë e Tij, nderimi për miqtë e Tij, poshtërimi për armiqtë e Tij, shpërblimi për miqtë e Tij dhe dënimi për armiqtë e Tij. Nëse tek i njëjti person bashkohen e mira dhe e keqja, prishja morale dhe bindja, mëkati dhe Suneti, bidati dhe Suneti, atëherë ai meriton dashuri dhe shpërblim sipas asaj që ka prej të mirave, dhe meriton kundërshtim e ndëshkim sipas asaj që ka prej të këqijave. Pra, tek i njëjti person mund të bashkohen shkaqet e nderimit dhe të qortimit. Ai merr nga të dyja anët. Shembulli i kësaj është hajduti i varfër: i pritet dora për shkak të vjedhjes së tij, por nga arka e shtetit i jepet aq sa ka nevojë për jetesën e tij. Ky është parimi për të cilin janë pajtuar Ehli Suneti dhe Xhemati, ndërsa e kanë kundërshtuar havarixhët, mutezilët dhe ata që i kanë ndjekur ata.”
E treta: Nga kuptimi i gabuar i kësaj thënieje të Sufjan Theuriut – “Bidati është më i dashur për Iblisin sesa mëkati” – ka ardhur edhe fakti se disa njerëz, pasi e kanë përgjithësuar këtë thënie mbi çdo bidat ose mbi çdo gjë që atyre u është dukur bidat, edhe nëse realiteti është ndryshe, kanë filluar të paralajmërojnë kundër disa dijetarëve dhe njerëzve të virtytshëm, vetëm sepse ata kanë zgjedhur në disa dispozita praktike sheriatike ose në disa hollësi të fshehta të çështjeve të akides diçka që këta e konsiderojnë si bidat të shpikur. Pastaj i sulmojnë ata ashpër!
Sa e bukur është fjala e artë e Imam Dhehebiut në biografinë e disa dijetarëve të mëdhenj në librin “Sijer A’lâm en-Nubelâ”: “Sikur ne, sa herë që një imam të gabonte në ixhtihadin e tij në ndonjë çështje të veçantë, gabim për të cilin ai është i falur, të ngriheshim kundër tij, ta shpallnim bidatçi dhe ta braktisnim, atëherë nuk do të shpëtonte prej nesh as Ibn Nasri, as Ibn Menduhu, e as kushdo më i madh se ata. Allahu është Ai që i udhëzon krijesat drejt së vërtetës dhe Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve. Prandaj kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga pasioni dhe ashpërsia.”
E katërta: Nga ky kuptim i gabuar i thënies së Sufjan Theuriut ka ardhur që disa njerëz i kanë dhënë përparësi padijes në mënyrë absolute ndaj kërkimit të dijes tek një person që ka rënë në ndonjë bidat, edhe nëse ai ka bërë një interpretim të justifikueshëm ose bidati i tij nuk e nxjerr nga feja.
Po, mospranimi i transmetimit dhe mosmarrja e dijes nga bidatçinjtë është një qëndrim që e kanë ndjekur disa imamë, ndërsa të tjerë kanë pasur mendim tjetër. Prej atyre që i kanë kundërshtuar është edhe vetë SufjanTheurij. Është transmetuar prej tij se ai e pranonte transmetimin e bidatçiut në mënyrë të përgjithshme, siç është përmendur në librin “El Kifâje fî Ilmi erRivâje” të Hatib el-Bagdadit.
Shumica e atyre që e kanë ndaluar transmetimin nga bidatçiu, në fakt e kanë kufizuar këtë vetëm tek bidatçiu që thërret në bidatin e tij. Megjithatë, praktika e disa prej tyre ka qenë ndryshe, sepse imamë të hadithit si Imam Malik ibn Enes dhe Imam Buhariu kanë transmetuar në librat e tyre autentike hadithe nga disa bidatçinj të cilët nuk e konsideronin të lejuar gënjeshtrën për të mbështetur medhhebin e tyre.
E pesta: Nënvlerësimi dhe zvogëlimi i rëndësisë së mëkateve. Kjo për arsye se disa njerëz i kanë marrë lehtë mëkatet e mëdha dhe shkatërruese, ndërsa i kanë madhëruar bidatet pa bërë dallime.
Kështu sheh disa prej tyre që nuk falen, nuk agjërojnë ose janë neglizhentë në faljen e namazeve në kohën e tyre dhe nuk shqetësohen fare. Ndërgjegjja e tyre nuk i qorton për lënien ose neglizhimin e këtij adhurimi madhështor, i cili është dalluesi ndërmjet njerëzve të kufrit dhe njerëzve të besimit. Por ata kanë frikë të madhe nga rënia në ndonjë bidat dhe ikin prej tij sikur të iknin nga luani!
Përdorimi i kësaj thënieje në mënyrë të pakufizuar para disa njerëzve të thjeshtë bën që ata t’i marrin më lehtë haramet e tjera që nuk janë bidate.
Është vërtet gabim që disa dijetarë bashkëkohorë të Sunetit dhe besimit – të cilët ne i respektojmë, i duam për hir të Allahut dhe përmes dashurisë ndaj tyre kërkojmë afrimin tek Allahu – kanë thënë për disa njerëz të thjeshtë: “Bidatçiu është më i keq sesa ai që përdor drogë.”
Kjo thënie nuk duhet të thuhet para masës së njerëzve të thjeshtë, sepse mendjet e tyre nuk arrijnë ta perceprojnë atë. Për më tepër, kjo thënie është e përgjithshme dhe pas shqyrtimit të hollësishëm nuk zbatohet mbi çdo bidat dhe çdo bidatçi.
Prej urtësisë, mençurisë dhe mënyrës së drejtë të transmetimit të dijes është shmangia e përdorimit të shprehjeve të përgjithshme, sepse përgjithësimi shkakton paqartësi; dhe sqarimi i hollësive të tij arrihet vetëm nga njerëzit e dijes dhe të kuptimit.
Në fund, i lutem Allahut të na udhëzojë në rrugën e drejtë, të na dhurojë drejtësi dhe fjalën e vërtetë si në zemërim ashtu edhe në kënaqësi; të na tregojë të vërtetën si të vërtetë dhe të na japë sukses për ta ndjekur atë; dhe të na tregojë të kotën si të kotë dhe të na japë sukses për t’u larguar prej saj. Ai është i Plotfuqishëm për këtë dhe meriton përgjigjen e lutjes.
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin lajmëtar dhe paralajmërues, Muhamedin birin e Abdullahut, më të mirin e profetëve dhe të dërguarve, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij të zgjedhur.
Autor: Omer Uendi Kundi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nur: 63.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Sure Maide: 82







